Ereniku,lumi që identifikon Gjakovën ndotet prej mbeturinave

Degradimi i natyrës, Më të rejat

Lumi që dikur kishte rol të madh ekonomik që njihej për peshkim  si dhe vend pushimi dhe relaksimi për banorët rreth tij

E. Thaqi

Gjakova nuk do të ishte e bukur pa lumin e njohur Erenik, duke iu bashkuar kësaj bukurie edhe lumi Trava, lumi i Drinit të Bardhë, lumi Krena dhe lumi Llukac.

Madje në fotografinë mjedisore të Kosovës konsiderohen këta lumenj si pesiazhet më të rëdësishme hidrografike. Lumi Erenik buron nga Bjeshkët e Junikut, i cili kalon nëpër bjeshkët e Erenikut, dhe në dalje të Gjakovës derdhet në lumin Drini i Bardhë.

Madje mbi këta lumenj shtrihen edhe urat më të bukura dhe më në zë, siç është ura e Tërzive, Tabakëve dhe ura e Taliqit.

Lumenjët e bukur dhe me urat e bukura viteve të fundit po përballen me ndotje dhe shkatërrim. Lumi që identifikon Gjakovën ka marrë një pamje dëshpëruese për shkak të mos mirëmbajtjes së tij dhe pa përgjegjësive të banorëve të zonës. 

Ky lumë, njëri nga më të mëdhenjët dhe më të rëndësishmit e rajonit, më herët kishte rol të madh ekonomik për shkak se ka shërbyer për punën e mullinjve, ka shërbyer për ujitje, për peshkim, por edhe si vend pushimi dhe relaksimi që banorët bënin në këtë lumë.

Lumi që një herë ishte një vend pushimi shumë i bukur shihet qartë që nuk është më i përdorueshëm, madje as për së afërmi siç bëhej dikur. Përkundrazi tani njerëzit vetëm po i hedhin mbeturinat në të.

Lidhur me këtë temë eksperti i mjedisit dhe njëherit njëri prej më të zëshmëve për problematikat mjedisore në Kosovë Agron Bektashi, tha për BB Green Kosova, se:  “Tani më është e sigurtë që sfida më e madhe në nivel global e shek. 21 do të jetë sasia dhe cilësia e ujit. Ndotja e ujërave nëntokësor dhe sipërfaqësor, përfshirë edhe lumenjtë, do të jetë një ndër çështjet kruciale për mjedisin, shëndetin dhe ekonominë e Kosovës në dekadat e ardhshme”.

Ndër të tjera z.Bektashi i sheh si shqetësuse edhe shkarkimet e ujërave te zeza nga pjesët urbane (kanalizimet), ai thotë se: ” Ndotja difuse e trupave ujore (kryesisht nga bujqësia) përfshirë lumenjtë, shkarkimet e palejuara nga industrita dhe bizneset dhe të tjerë ndotës, janë çështje që urgjent duhet zgjidhur “.

Madje para disa viteve, çështja e hudhjes së meturinave në lumin Erenik e kishte alarmuar edhe rrjetin medial Amerikan National Geographic, të cilët kishin publikuar pamje të lumit të ndotur dhe të gjendjes së lumit në faqen e tyre në instagram.

Gjendja e lumit është shqetësuese për shkak të mbeturinave të shumta dhe të ndryshme që hudhen aty. Përkundër pastrimit të para dy viteve nga disa vullnetarë ku mblodhën shumë mbeturina, problemi  jo që nuk është zhdukur, por vazhdon të shtrihet në lumin Erenik.

“Nëse banorët se bëjnë vullnetarisht, komuna apo ministria e mjedisit duhet t’i denoj, t’i gjobisë apo çfarëdo mase tjetër”, thotë Flutura, qytetare e Gjakovës.

Ndërsa, Adnani është shumë i indenjuar se si qytetarët ia bëjnë këto dëme lumit më të mirë të Gjakovës, “Nuk mundemi me leju edhe më shumë ndotjen e lumit, as të ujit e as të natyrës, komuna duhet me bo diçka sa nuk e kemi dëmtuar më shumë lumin”, thotë ai.

Në lumin Erenik hidhen me qindra mbeturina rreth lumit dhe në ujë gjithashtu, qoftë nga kalimtarët apo edhe nga vetë banorët e zones. Banorët janë të shqetësuar për gjendjen e lumit dhe kërkojnë që të merren masa për të parandaluar ndotjen e lumit, dhe shkatërrimin e mjedisit.

 Drita, banorja e kësaj zone për BB Green Kosova tha se: “Lumi është pastruar, por prap e ka ndotur populli ynë. Komuna e kishte pastruar lumin vitin e kaluar, por lumin po e ndotin prap kalimtarët dhe banorët, e vetmja zgjidhje është që të vendosin kamera për këta njerëz, ” ka thënë ajo.

Sipas ekspertit mjedisor Agron Bektashi, zgjidhje më optimale është ndërtimi i një serie të kolektorëve në gjithë territorin e Kosovës si dhe të fabrikave për trajtimin e ujërave të ndotura të cilat janë në ndertim e sipër në disa qendra të Kosovës. Ai thotë se, ndotja dhe degradimi i lumenjëve të Kosovës rrezikon shëndetin e qytetarëve por direkt ndikon edhe në floren dhe faunen si dhe në biodiversitetin e përgjithshëm të pellgut lumor.

“Është detyrë e përbashkët e Qeverisë por edhe Shoqërisë Civile dhe e qytetarëve të Kosovës që mbrojtjen e resurseve ujore dhe në veçanti mbrojtjen e lumenjëve ta vendosin si prioritet nacional “, tha Bektashi.

Lumenjtë janë të rëndësishëm si për njerëzit ashtu edhe për mjedisin, dhe ndotja e lumenjve mund të shkaktojë një sërë efektesh në jetën e bimëve, kafshëve dhe njerëzve. Ekosistemi i lumenjve mund të transportojë ndotje, duke përqendruar ndotës organik dhe jo organik të cilët e dëmtojnë florën, faunën, njerëzit dhe në fund ata ndotës derdhen në det. 

 Lumi Erenik i përket pellgut kullues të Detit Adriatik, banorët e zonës duhet të jenë më të vetëdijshëm dhe më të përgjegjshëm për dëmet që po i shkaktojnë natyrës në të cilën të gjithë ne jetojmë, dhe të gjithë duhet të marrin masa për pastrim, mirëmbajtje dhe mbrojtje më strikte të jo vetëm Erenikut, por të çdo lumi dhe ekosistemi të rrezikuar nga ndotja. /bbgreenkosova./

Foto: BB Green

Leave a Reply