Thunberg takon Merkelin: Asgjë nuk është bërë në dy vitet e fundit për çështjen e klimës

Më të rejat

Hendeku midis asaj që na nevojitet dhe asaj që është bërë deri më tani minutë për minutë po shtohet, thekson aktivistja adoleshente dhe përkrahësit e saj

Greta Thunberg, dy vjet pas grevës së saj të parë për shkak të ndryshimit të klimës, thotë se e gjithë kjo kohë është e humbur, sepse veprimet e nevojshme nuk janë ndërmarrë. Ajo së bashku me përkrahësit e saj u takuan me Angela Merkelin, kancelare e Gjermanisë, e cila aktualisht mban presidencën e BE-së. Ata kërkojnë pezullimin e të gjitha investimeve në lëndë djegëse fosile, si dhe subvencione dhe prezantimin e buxheteve vjetore që aprovojnë përdorimin e tyre për qëllime shkencore.

“Kur shikoj prapa (në dy vitet e fundit), ka ndodhur shumëçka. Miliona kanë dalë në rrugë … dhe më 28 nëntor 2019, Parlamenti Evropian shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për klimën dhe mbrojtjen e mjedisit,” tha Thunberg në një tekst autorial për Guardian-in, së bashku me Louise Neubauerin, Anun de Weaverin dhe Adelaide Charlierin.

“Por në këto dy vjet, bota ka emetuar gjithashtu më shumë se 80 miliardë tonë dioksid karboni. Ne kemi qenë dëshmitarë të fatkeqësive të vazhdueshme natyrore në të gjithë planetin. Shumë jetë dhe shtëpi janë shkatërruar, dhe ky është vetëm fillimi,” ka shkruar Greta bashkë me shokët e saj.

Thellimi i hendekut

Ata deklaruan se liderët botërorë flasin për një “krizë ekzistenciale”, por, megjithatë, “kur merren masa, ne jemi akoma në një gjendje mohimi. Hendeku midis asaj që na nevojitet dhe asaj që është bërë deri më tani minutë për minutë shtohet. Në fund, ne humbëm edhe dy vjet të tjera kur bëhet fjalë për një reagim vendimtar politik”.

Thunberg dhe kolegët e saj theksuan se lufta kundër ndryshimit të klimës duhet të përfshijë kombet e pasura, me atë që të ndalohen disa prej veprimeve të tyre të ndotjes.

“Mirëpo, ky është një fakt që shumë njerëz refuzojnë ta pranojnë. Fakti që ne jemi në një krizë kundër së cilës nuk mund të bëjmë asgjë, do të duhej të na inkurajojë të ndërtojmë ose investojmë në një mënyrë që do të na lejojë të krijojmë një mënyrë mendore kolektive për ta kapërcyer këtë. Injoranca, mohimi dhe pavetëdija janë në zemër të vetë problemit “, thonë ata.

Greta Thunberg është takuar në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ka dënuar “pasivitetin politik” dhe vendet që “mohojnë” ndryshimin e klimës, raportoi agjensia AFP.

Merkel, vendi i të cilës mban presidencën e Bashkimit Evropian, priti aktivisten 17-vjeçare, e cili ka bërë dy vjet fushatë për të mobilizuar botën në luftën kundër ndryshimit të klimës. Takimi u iniciua nga Greta Thunberg dhe anëtarët e tjerë të lëvizjes së saj, dhe Merkel shprehu kënaqësi për t’i pritur.

Agjensia AP raportoi se aktivistët e rinj – adoleshentja Thunberg, Louise Neubauer nga Gjermania dhe belgja Anunna de Wever van der Hayden dhe Adelaide Charlie, erdhën në takimin 90 minutësh me Angela Merkelin të shoqëruar nga një grup demonstruesish të klimës.

“Ne jemi këtu, jemi të zëshëm sepse e ardhmja jonë po vidhet”, thirrën protestuesit, ndërsa Thunberg ishte nën rrethim nga fotografët.

Sipas AP-së, aktivistët kërkuan një takim me Angela Merkelin, sepse Gjermania, së bashku me Britaninë e Madhe, merr pjesë me 22% në tërë emetimin botëror të gazrave serrë, të cilat u krijuan nga njeriu.

Përveç kësaj, Merkel deri tani ka lavdëruar aktivistët e rinj për presionin mbi politikanët për të vepruar kundër ngrohjes globale, dhe zëdhënësi i saj Ulrike Demer tha të mërkurën se “kjo temë (ndryshimi i klimës) është thelbësore për të gjithë qeverinë gjermane” dhe kjo është arsyeja pse “të folurit (me aktivistët) është sigurisht i dobishëm”.

Takimi erdhi pas dy vitesh veprimesh, të cilat atëherë 15-vjeçarja Greta Thunberg i filloi me një protestë të përditshme para parlamentit Suedez. Aksioni u përhap më pas në shumë vende me tubime javore të quajtura “E premtja për ardhmërinë”.

Gjermania është ende shumë e varur nga qymyri për shkak të braktisjes graduale të energjisë bërthamore pas katastrofës në Fukushima në vitin 2011. Sidoqoftë, falë rënies së aktivitetit për shkak të pandemisë së virusit korona, Gjermania mund të arrijë qëllimin për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë me 40 përqind në krahasim me nivelin e viteve 1990.

Gjermania dëshiron të ndalojë prodhimin e energjisë elektrike me qymyr deri në vitin 2038, por aktivistët e klimës besojnë se është shumë vonë, njoftoi agjensia AFP.

Kthimi në kursin e duhur

Fakti që qeveritë botërore kanë shpenzuar mijëra miliarda dollarë në përgjigje të pandemisë së koronavirusit ofron një mundësi unike për ta rikthyer botën në rrugën e duhur kur bëhet fjalë për ngrohjen globale, me ekonomistët, shkencëtarët dhe ekspertët e shëndetit, të cilët të gjithë theksojnë se përfitimet tejkalojnë kostot.

Por paketat e ndihmës nga qeveritë e G20-ës shumë më tepër mbështetje u japin karburanteve fosile sesa atyre me emetim të ulët karboni. Për shembull, plani i rimëkëmbjes së Gjermanisë përfshin 40 miliardë dollarë për masat klimatike, përfshirë automjetet elektrike, transportin publik dhe efikasitetin e energjisë, të cilat u mirëpritën nga grupet mjedisore. Mirëpo, në pjesën tjetër të botës, është bërë shumë pak për këtë çështje, sipas Gretës dhe kolegëve të saj.

“Edhe një fëmijë mund të shohë që politikat e sotme janë të papajtueshme me shkencën e sotme,” thonë ata.

Shkencëtarët kanë llogaritur që emetimet globale të dioksidit të karbonit duhet të zvogëlohen përgjysmë deri në fund të kësaj dekade, nëse njerëzimi dëshiron që rritja e temperaturës të mbetet nën 1,5 gradë Celsius, që është objektiv i harmonizuar me Marrëveshjen e Parisit për klimën. Rënia e emetimeve në kohën e virusit korona, për shkak të ndalimit të industrisë, janë zvogëlim i pakonsiderueshëm në trendin afatgjatë dhe do të kenë ndikim thuaja se të pavërejtshëm në ndryshimin e klimës, mendojnë shkencëtarët.

“Po e kuptojmë se bota është e ndërlikuar dhe se po kërkojmë diçka që nuk është e lehtë apo duket joreale. Por është shumë më joreale të besojmë se shoqëria jonë do të mbijetojë ngrohjen globale drej të cilës po shkojmë. Pakthyeshëm po shkojmë drejt ndryshimeve fundamentale, ashtu e kështu. Çështja është: a do të jenë këto ndryshime në të mirën tonë apo në të mirë të natyrës”, pyet grupi i Gretës./bbgreenkosova

Burimi: The Guardian, AFP
Foto: AP Photo/Markus Schreiber

Leave a Reply