Zjarret po shtohen në pyje, a është shkaktar ndryshimi i klimës?
Deri sa në Kosovë sivjet nuk pati zjarre në pyje për shkak të verës me më shumë shi, këto ditë Kaliforninë po e shkretërojnë rreth 30 zjarre në mbi 48.500 hektarë, duke përfshirë nga flakët vegjetacionin, automobila e shtëpi, disa prej tyre afër qyteteve Los Angeles e San Francisco.
Por, më i pabesueshëm është fakti se zjarret në pyje kanë qenë shumë intensive këtë vit dhe vitin e kaluar në disa pjesë të botës, të tilla si Australia, Arktiku dhe Amazona. Pamje të sitihisë së pakontrolluar të zjarrit që shkatërron gjithçka përpara tij, përshkuan mediat dhe shkaktuan reagim të madh ndërkombëtar dhe vëmendje të studiuesve, të cilët u përpoqën të zbulojnë arsyet pse zjarret ishin më të mëdha se zakonisht dhe çfarë na pret në të ardhmen.
Për këtë arsye, faqja shkencore Science Brief mblodhi të dhëna nga 73 hulumtime në temën e zjarreve dhe ndryshimeve klimatike të publikuara nga 2013 deri sot. Analiza e rezultateve të këtyre studimeve ka treguar se ndryshimi i klimës rrit rrezikun e zjarreve të mëdha të pakontrolluara.
Mirëpo, me siguri do të habiteni nga fakti që në periudhën 2003-2015. në të njëjtën kohë, ekziston një prirje e zvogëlimit të zonës së djegur në zjarre globalisht. Kështu, zona totale e prekur nga zjarret në vitin 2015 ishte rreth 25 përqind më e vogël se në vitin 2003.
Këto të dhëna kanë shkaktuar shumë zhurmë në qarqet që merren me ndryshimin e klimës dhe kjo është arsyeja pse Carbon Brief publikoi një analizë të hollësishme të lidhjes midis ndryshimit të klimës dhe zjarreve me hartat interaktive me një vështrim të rezultateve të hulumtimev individuale. Ajo që ka ndodhur në të gjithë botën në dy vitet e fundit ofron shumë materiale për të parë se çfarë paraqet rrezik dhe çfarë e ardhme mund të na presë.
Si ndikon ndryshimi i klimës?
Në mënyrë që zjarret në pyje të ndodhin, është e nevojshme që të mbizotërojnë kushte të caktuara të motit, prej të cilave kryesore janë periudhat e gjata të thatësirës dhe valët e nxehtësisë. Ndërsa këto kushte të motit bëhen më ekstreme ose më të gjata, rreziku i zjarrit rritet. Prandaj, ndryshimi i klimës rrit mundësinë e krijimit të kushteve të favorshme për shpërthimin dhe përhapjen e pakontrolluar të zjarreve.
Se cili është rreziku më i madh ndryshon nga rajoni në rajon, ndërsa një faktor i përgjithshëm mund të jetë tharja e bimësisë. Në të vërtetë, sa më e lartë të jetë temperatura, kurse më të pakëta reshjet, aq më e thatë dhe më e ndjeshme është bimësia ndaj djegies. Për më tepër, bimësia e thatë lejon që zjarri të përhapet më shpejt (veçanërisht nën ndikimin e erës), mbulon një zonë më të madhe dhe është më e vështirë për t’u shuar. Temperatura dhe thatësira jo vetëm që ndikojnë në faktin se zjarret janë më intensivë, por edhe se sezoni i tyre zgjat më shumë, domethënë që ka më shumë ditë në vit në të cilat ekziston rreziku që të shpërthejnë ato.
Numri i ditëve të tilla po rritet mu për shkak të ndryshimit të klimës, tregoi një studim i vitit 2015 nga një ekip ndërkombëtar i botuar në Nature Communications. Kjo është veçanërisht e dukshme në pjesë të botës ku mbulesa e borës paraqitet në dimër, si në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Në uebfaqen e Carbon Brief, autorët e këtij studimi sqarojnë se moti i ngrohtë fillon më herët në pranverë, dhe temperaturat e larta zgjasin më gjatë në vjeshtë, kështu që nuk ka borë në pjesët e vitit për të cilat ishte e zakonshme, gjë që çon në tharjen e bimësisë.
Këtë vit, është botuar edhe një studim tjetër, i cili tregon se në Kaliforni, për shkak të ndryshimit të klimës, numri i ditëve të vjeshtës të përshtatshme për shpërthimin e zjarrit është dyfishuar në krahasim me vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar.
Si shkaktohen zjarret?
Sipas rezultateve të një studimi të publikuar nga WWF, njerëzit janë më përgjegjësit për shpërthimin e zjarreve të mëdha pyjore. Vetëm katër përqind e zjarreve pyjorë në botë ndodhin natyrshëm, nga rrufeja, pjesa tjetër janë zjarre që filluan për shkak të djegies së qëllimshme të pyllit për të pastruar tokën, për shkak të moskujdesit njerëzor ose, në raste ekstreme, piromanisë.
Mirëpo, në varësi të pjesës së botës të cilën e vëzhgojmë, varet edhe se cili është shkaku më i zakonshëm i shpërthimit të zjarrit. Deri sa zjarret ndodhin natyrshëm në Kanada në pjesën më të madhe, kjo nuk ndodhë në Amazon dhe Indonezi. Sidomos vitet e fundit, në këto vende ka pasur një intensifikim të aktiviteteve të pastrimit të tokës.
Pse u zvogëlua sipërfaqja e tokës së djegur?
Edhe pse kur flasim për zjarre, sigurisht që pamjet e para që u binë ndërmend janë ato që mund t’i shihnim verën e kaluar në Amazon, zjarret e mëdha nuk janë karakteristikë vetëm për pyjet. Ato janë gjithashtu të zakonshme në kullota, dhe zjarre të tilla janë më të zakonshme në Afrikë, ku zona të mëdha nën savanën digjen çdo vit.
Disa studime tregojnë se rreth 70 përqind e numrit të përgjithshëm të zjarreve në botë shpërthejnë në këtë kontinent.
Arsyeja nuk qëndron aq shumë në ndryshimin e kushteve të motit, sa në djegien e qëllimshme të savanës, e cila është pjesë e administrimit tradicional të tokës në Afrikë. Mirëpo, për shkak të rritjes së madhe të popullsisë në kontinentin afrikan dhe nevojës për prodhimin e ushqimit, sipërfaqe gjithnjë e më e madhe e savanës shndërrohet në tokë bujqësore për kjultivimin e të mbjellave.
Ndërsa zjarret në Afrikë përbëjnë pjesën më të madhe të të gjitha zjarreve në botë, çdo ulje e konsiderueshme në këtë kontinent reflektohet në sipërfaqen totale që digjet, dhe tendenca e shndërrimit të pyjeve në tokë bujqësore është e pranishme edhe në pjesën tjetër të botës.
Çfarë mund të presim në të ardhmen?
Pasi që lajmet për zjarre mbizotëruan në publik verën dhe dimrin e kaluar, këtë pranverë me më pak vëmendje për shkak të pandemisë Covid-19, por me mbase të njëjtën frikë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mediat ndoqën zjarret në Arktik. Analiza e shërbimit Evropian të Monitorimit të Atmosferës Copernicus tregoi se zjarret në atë rajon ishin më të shumëta këtë vit sesa vitin e kaluar, dhe se të dy vitet ishin shumë herë mbi mesataren në krahasim me periudhën e viteve 2003-2019.
Në qershor të këtij viti, zjarret goditën edhe Amazonin, që do të thotë se sezoni i zjarrit filloi pak më herët sesa pritej. Në këtë pjesë të botës, zjarret në pyje zakonisht ndodhin nga gushti deri në tetor.
Ndërsa efektet e ndryshimit të klimës bëhen më të dukshme dhe më të forta, shkencëtarët paralajmërojnë se në të ardhmen ekziston një shans në rritje që vitet rekorde si 2019 dhe 2020 të përsëriten. Organizata ndërkombëtare World Weather Attribution në analizën e saj ka treguar se ndryshimi i klimës i ka bërë këto zjarre 30 përqind më të predispozuara se sa do të kishin qenë pa to.
Ndikimi kryesor i ndryshimit të klimës është krijimi i kushteve të favorshme për shpërthime zjarri, një nga supozimet që ka shumë të ngjarë të realizohet është se numri i ditëve në të cilat mund të ndodhë një zjarr do të rritet.
Një studim, autor i parë i të cilit është David Bowman i Universitetit të Tasmanisë, tregon se numri i ditëve të tilla në të gjithë botën do të rritet me 35 përqind deri në gjysmën e shekullit. Rajonet të cilat pritet të goditen më së shumti janë perëndimi i Shteteve të Bashkuara, Australia, Afrika e Jugut dhe Mesdheu.
Prandaj, është thelbësore të zvogëlohen emetimet e gazrave serrë në mënyrë që të ndalohet ngrohja, si dhe të zhvillohen metoda të reja të luftimit të zjarreve, pasi është e qartë se zjarret do të jenë një rrezik në rritje në të ardhmen./bbgreenkosova
Burimi: Science Brief
Foto: AFP