Shkencëtarët: Akulli në Grenlandë është shkrirë deri në pikën e pa kthim

Më të rejat

Pllaka e akullit të Grenlandës është shkrirë deri në pikën prej ku s’ka kthim, dhe përpjekjet për të ngadalësuar ngrohjen globale nuk do ta pengojnë atë të shpërbëhet.

Këto janë përfundimet e një studimi të ri të hulumtuesve nga Universiteti Shtetëror i Ohajos.

“Pllaka e akullit tani është në këtë gjendje të re dinamike, ku edhe nëse kthehemi në një klimë të ngjashme me atë që kishim 20 ose 30 vjet më parë, sigurisht që do të kishte një humbje të masës”, tha Ian Hovat, bashkautor i studimit dhe profesor në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

Shtresa e akullit në Grenlandë humbë mbi 280 miliardë tonelata akulli që shkrihet në oqean çdo vit, duke e bërë atë kontributin më të madh të vetëm për ngritjen e niveleve globale të detit, thotë Mikaela King, autori kryesor i studimit dhe studiuesi në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

Humbja e akullit vitet e fundit ka qenë aq masive sa që ka shkaktuar ndryshime të matshme në fushën e gravitetit mbi Grenlandën, thotë King.

Shkrirja e akullit në Grenlandë kontribuon në ngritjen e niveleve të detit më shumë se një milimetër çdo vit, dhe kjo ka të ngjarë të përkeqësohet. Parashikohet që niveli i detit të rritet për gati një metër (0.91 m) në fund të shekullit.

Vende si Florida dhe vendet ishullore në veçanti mund të preken nga kjo. Vetëm një metër ngritje e nivelit të detit mund të vinte zona të mëdha të vijës bregdetare nën ujë. Dyzet përqind e popullsisë amerikane jeton në zona bregdetare që janë të ndjeshme ndaj rritjes së nivelit të detit.

“Ka shumë vende, veçanërisht në Florida, ku vetëm një metër do të mbulojë shumë zona ekzistuese të tokës,” tha King. “Dhe kjo përkeqësohet kur të kemi parasysh edhe stuhi, uragane dhe gjëra të tilla, të cilat më pas shkaktojnë një ngritje shtesë mbi nivelin fillestar më të madh,” theksoi ajo.

Studimi zbuloi gjithashtu se pllaka e akullit shkrihet në “shpërthime të shpejta”, duke çuar në një rritje të papritur dhe të paparashikueshme të niveleve të detit, duke e bërë të vështirë edhe përgatitjen për pasojat.

Studimi përdori të dhënat satelitore të katër dekadave për të matur ndryshimet në pllakën e akullit të Grenlandës. Autorët zbuluan se pas vitit 2000, pllaka e akullit u tkurr aq shpejt sa që edhe rifillimi i reshjeve të dëborës nuk do të ndalonte shkallën e shkrirjes së pjesëve të akullnajave që kohët e fundit janë ekspozuar ndaj ujit të ngrohtë të oqeanit, madje edhe nëse ndryshimi i klimës kthehet mbrapa./bbgreenkosova

Burimi: CNN
Foto: AFP

Leave a Reply