Rreziqet e rritjes së temperaturave
Rritja e temperaturave do të shkaktojë humbje të madhe të biodiversitetit.
Ndryshimi klimatik do të shkaktojë humbje katastrofike të biodiversitetit tonë në dekadat e ardhshme, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga University College London. Ngrohja globale po shtyn shumë specie në një rrezik të madh, dhe këto bimë dhe kafshë do të zhduken papritmas nëse temperaturat vazhdojnë të rriten.
Studiuesit parashikojnë që një numër i madh i specieve do të zhduken njëkohësisht nën presionin e ndryshimit klimatik, dhe disa rajone do të pësojnë humbje të jashtëzakonshme më shpejt se rajonet e tjera. Fatkeqësi të mëdha, siç janë ngjarjet masive të shkatërrimeve të koraleve në Great Barrier Reef, tregojnë se vala e parë e shkatërrimit tashmë ka mbërritur.
“Ne zbuluam se rreziqet e ndryshimit klimatik ndaj biodiversitetit nuk rriten gradualisht. Përkundrazi, derisa klima ngrohet, brenda një zone të caktuar shumica e specieve do të jenë në gjendje ta përballojnë për një kohë, përpara se të kalojnë në temperatura edhe më të mëdha, ku një pjesë e madhe e specieve papritmas do të përballen me kushte që nuk i kanë përjetuar më parë, “shpjegoi udhëheqësi i studimit, autori Dr Alex Pigot.
Ekipi i kërkimit, duke përfshirë ekspertët në Afrikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, u përpoq të analizojë kërcënimet ndaj biodiversitetit deri në fund të shekullit. Hetimi u përqëndrua në të dhënat e modelit të klimës nga viti 1850 deri në 2005 dhe në 30 652 lloje bimësh dhe kafshësh.
Sipas studimit, nëse temperaturat globale rriten me 4 ° C këtë shekull, të paktën 15 përqind e gjallesave në të gjithë globin do të përballen me një rrezik të rëndë dhe nëse ngrohja është e kufizuar në 2 ° C ose më pak, numri i gjallesave të prekura do të bjerë në më pak se dy përqind.
Studiuesit paralajmërojnë se disa nga komunitetet ekologjike më biodiversitare në planet, siç janë shkëmbinjtë koralorë, do të ndiejnë ndryshimet e para. Nëpër oqeanet tropikale, ekspozimi i dëmshëm ndaj nxehtësisë së tepërt pritet të fillojë deri në vitin 2030.
“Shpresojmë që gjetjet tona do të mund të shërbejnë si një sistem paralajmërimi i hershëm, duke parashikuar se cilat gjallesa do të jenë më të rrezikuara dhe kur, kjo gjë mund të ndihmojë në përpjekjet e ruajtjes së tyre,” tha bashkëautori i studimit, Dr. Cory Merow.
“Mund të jetë e vlefshme të zhvillohet një program dhjetë vjeçar i monitorimit, i ngjashëm me atë që bëjnë shkencëtarët e klimës por të bëhet për biodiversitetin, i cili mund të azhurnohet rregullisht në bazë të asaj që ndodh në të vërtetë.” Tha ai. /bbgreenkosova./
Burimi: Earth.com