Kulumria, fruti që pastron dhe forcon gjakun

Bimët

Është me gjemba, por lulet e saj i zbukurojnë fushat e pyjet në pranverë, është mjaltsjellëse dhe bimë shëruese

Kulumria (Prusnus spinosa L.) është kaçube gjethrënëse nga familja e trëndafilave (Rosaceae). Rritet deri në 5 metra lartësi me degëzime të dendura të mbuluara me gjemba. Rrënja është shumë e zhvilluar, e fortë, e thellë dhe e gjerë. Lëvoren në fillim e ka të kaftë në të kuqe, më vonë bëhet e hirtë e errët. Sythat i ka të imtë, të gjatë 1-2 mm, vezorë deri rrethorë. Gjethet janë të alternuar, të thejshtë, vezorë apo eliptikë, të gjatë 2-6 cm, të gjerë 1-3 cm, të topitur apo të mprehtë, në maje të dhëmbëzuar, në fillim janë leshatukë, më vonë zhvishen, gjenden në bisht të gjatë 2-10 mm, i cili në pjesën e epërme është kryesisht i kuq. Lulet janë njëgjinore, monoike, gjenden në bisht të gjatë rreth 5 mm, të vetmuara apo në tufë prej 2-3 sosh, të bardha, me petale vezake të jata 5-10 mm. Lulëzojnë nga fundi i marsit deri në maj para gjethimit. Frutat janë të rrunbullatë, të zhveshur, farorë, me diametër 1-1,5 cm, me shije të thartë. Piqen në gusht, ndërsa në degë mbeten deri në pranverë.

Në natyrë është e përhapur në rajonin e Evropës, Azisë perëndimore dhe Afrikës veriperëndimore. Rritet skaj pyjeve, në tokë djerrë dhe si pjesë e gëmushave, kryesisht në brezin kodrinor, në tokë të thatë, në diell apo gjysmëhije, gëlqerore e të plleshme.
Diku-diku mbillet edhe si bimë dekorative, për rrethoja të gjalla dhe për mbrojtjen e tokës nga erozioni. Kaçubeja ka jetëgjatësi deri në 40 vjet, shumëzohet me fara dhe në mënyrë vegjetative.

Është bimë mjalti dhe kullosë e rëndësishme e hershme për bletët. Në sipërfaqe të mbuluara dendur me këtë bimë në një hektar rendimenti mund të jetë deri 25 kg.

Etimologjia. – Emrin latin gjinisë Prunus ia ka dhënë babai i taksonomisë Carl Linnaeus në vitin 1737. Prejardhjen e ka nga fjala greke prounon, e cila shënjon trungun e kumbullës. Emri i llojit (spinosa) tregon për gjembat të cilat i ka.

Përdorimi. – Mblidhen lulet, frutat dhe gjethet. Frutat mblidhen gjatë vjeshtës, më së miri sa më vonë – në tetor apo nëntor. Ata bëhen më të shijshëm pasi t’i ‘djegë’ acari. Frutat e pjekur përmbajnë 5-6% sheqer, rreth 20 mg% vitaminë C, pektinë, taninë. Farat kanë rreth 2,6% glikozid amigdalin, prandaj janë të helmueshme.

Frutat mund të thahen dhe të përdoren si çaj, të përpunohen në lëngje, marmelatë, uthull etj,, gjethet përbajnë rreth 200 mg% vitaminë C, po ashtu përdoren si çaj.

Çaji nga lulet forcon dhe pastron gjakun, shliron shtangimet dhe ka veprim purgativ, për çka në mjekësonë popullore përdoret për kapsllëk. Përdorimi i tij sot është jashtëzakonisht i rrallë./bbgreenkosova

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply