Pas shpërthimit në Bejrut: A ka edhe Kosova materie të rrezikshme?

Degradimi i natyrës

Një raport i vitit të kaluar, i pari i këtij lloji që nga paslufta, thotë se materie të tilla ka, ato janë të magazinuara në vende të papërshtatshme dhe jo adekuate dhe në çdo moment paraqesin një rrezik të madh si për mjedisin, ashtu edhe për shëndetin e qytetarëve. – Pse dështoi ndërtimi i një objekti për ruajtjen e të gjitha mbeturinave të rrezikshme në Harilaç?

Nitrati i amoniumit është kemikat industrial, i cili kryesisht përdoret për plehërimin e bimëve, sepse është burim i mirë i azotit. Por, edhe mund të shpërthejë, prandaj edhe paraqet njërin ndër përbërësit kryesorë të mjeteve eksplozive. Një sasi kolosale e kësaj materieje shpërtheu pasditen e 4 gushtit në limanin e Bejrutit, ku ishte e deponuara për sa vjet, duke vrarë 158 njerëz e ky numër, për fat të keq, mund të vazhdojë të rritet, 60 veta konsiderohen të zhdukur, ndërsa të plagosurit janë me mijëra dhe dëmet materiale tepër të mëdha.

Situatat e tilla tragjike shërbejnë që secili shtet të shtrojë pyetjen: a mund të na ngjajë edhe ne? A ka, pra, materie të rrezikshme edhe në Kosovë dhe ç’rreziqe paraqesin ato?

Ish fabrika e prodhimit të tekstilit “Emin Duraku” ndodhet në zonën industriale të qytetit të Gjakovës. Është privatizuar dhe tani funksionon me emrin e ri “Emin Duraku i Ri”- Devolli Corporation. Pas ndërprerjes së prodhimit, në këtë objekt është trashëguar një sasi e konsiderushme e mbeturinave të rrezikshme të cilat janë të vendosura në dy magazina të vjetra dhe në gjendje jo të mirë.
Për përbërjen dhe llojin e këtyre kemikateve nuk ka informacione të detajizuara përpos atyre që akoma posedojnë etiketa. Kemikatet janë të vendosura në vendin i cili është jasht çdo standardi, me ambalazhe të korroduara, të hapura dhe në disa raste janë të derdhura në dysheme të objektit. Në këtë lokacion gjendet edhe një izotop Kobalt 60 i cili është i izoluar në fuqi metalike me beton dhe vlerat e rrezatimit gjatë matjeve kanë qenë të ulëta (0.74µsv/h). Për këtë
arsye nuk është vendosur as shenja për këtë izotop radioaktiv për shkak të rrezikshmërisë së ulët.
Sa i përket sigurisë së objektit mund të thuhet së njëra depo është e mbyllur dhe tjetra është e hapur dhe e shenjëzuar vetëm me shirit. Gjithashtu, objekti është i shenjëzuar me shenja të rrezikut dhe janë të vendosura aparatet për shuarjen e zjarrit. Në pjesën ku është vendosur fuqia me izotopin e Kobaltit 60 monitorohet për 24 orë në ditë nga kamerat vëzhguese.
Tani kjo ish ndërmarrje merret me prodhimin e dyshekëve, shpuzave, prodhimin e mbulojave për automobila si dhe prodhimi i çantave të krahut.

Siguri e nivelit shumë të ulët

Përshkrimi i mësipërm është nga raporti “Mbeturinat e rrezikshme industriale në Kosovë” i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMM), i hartuar vitin e kaluar dhe i pari i këtij lloji i periudhës së pas luftës. Lokacioni i përshkruar është vetëm njëri ndër 17 vendet e tilla, të cilat po ashtu përbëjnë mbeturina industriale, të përshkruara si “të rrezikshme”, sepse “mund të kenë efekt të dëmshëm për shëndetin e njeriut ose mjedisin”, të cilat janë krijuar para vitit 1999 dhe deri më tash nuk kanë pasur ndonjë trajtim. Pas luftës në Kosovë, shumë fabrika dhe reparte industriale ishin shkatërruar dhe demoluar skajshmërisht, duke lënë kështu edhe shumë kimikate te rrezikshme si mbeturina. Hulumtuesit kanë konstatuar se sasia e këtyre mbeturinave në shumë raste ishte e madhe, ndërkohë që kapacitetet e institucioneve relevante shtetërore apo edhe të operatorëve si privatizues të pronave për menaxhimin e tyre ishin të vogla.

Mbeturinat e rrezikshme në lokacionin e fabrikës “Devolli Corporation”, Gjakovë (Foto: AMM)

Meqë në Kosovë akoma nuk ka një sistem të nivelit të duhur të menaxhimit të mbeturinave të tilla, ato ruhen në objekte të ish fabrikave përkatëse, në magazina dhe depo të një sigurie të nivelit shumë të dhe pa standard dhe janë të sistemuara pa ndonjë kriter dhe vlerësim paraprak. Në shumë raste, kur fabrikat apo magazinat e caktuara janë privatizuar, pas procesit të shitjes së kësaj pasurie shtetërore, pronarët e rinj legjitimë, të cilët i kanë trashëguar këto mbeturina, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje adekuate për asgjësimin e tyre. Ç’është më e keqja, përkundër monitorimit të vazhdueshëm dhe mbajtjes nën kontroll të mbeturinave të rrezikshme industriale nga ana e Inspektoriatit të MMPH- së, KFOR-it dhe FSK-së, ato çdo herë paraqesin rrezik permanent për mjedisin dhe ekosistemin në tërësi deri sa të bëhet asgjësimi i tyre përfundimtar. Madje, përkundër shumë hulumtimeve nga institucionet monitoruese, akoma nuk mund të flitet saktë për përbërjen dhe llojin e këtyre mbeturinave të rrezikshme, shkallën e rrezikshmerisë në mjedis, dhe impaktin në shëndet.

Cila është zgjidhja?

“Është ky edhe një dokument, i cili do t’ju shërbejë politikbërësve në zbatimin e politikave të qëndrueshme mjedisore dhe donatorëve në orientimin e projekteve të”, ka theksuar në raport, Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, nën kupolën e të cilit edhe është hartuar raporti.

Deri më tash, sipas raportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (tash e fuzionuar në një ministri të përbashkët – për Ekonomi e Ambient) ka hartuar një kornizë ligjore të mjaftueshme për mbrotjen e mjedisit dhe shumica e këtyre ligjeve janë në harmoni me standardet e BE-së. Në kuadër të insfrastrukturës ligjore mjedisore janë hartuar ligje dhe akte nën ligjore edhe për rregullimin e problematikës së mbeturinave të rrezikshme dhe kimikateve.

Vendet e depozitave të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë (Foto: AMM)

Zgjidhja është parë në ndërtimin e një objekti për rutjatjen e përkohshme të tyre deri deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, përkatësisht shkatërrimit të tyre. Një përgjigje për financimin e këtij objekti është marrë nga fondet e BE-së, ndërsa Qeverisë së Kosovës, qysh në maj të vitit 2018 ka marrë vendim edhe për ndarjen e parcelës. Lokacioni është caktuar në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës, por kjo zgjidhje është kundërshtuar fuqishëm nga shoqëria civile dhe Kuvendi komunal i Fushë Kosovës, duke e quajtur me retorikë të ashpër “bombë e radhës për banorët e Fushë Kosovës”.

Ndoshta lokacioni i caktuar edhe mund të mos jetë më i përshtatshmi. Por, çështje që duhet shtruar është se a më e rrezikshme është një “bombë” e tillë në një objekt të ndërtuar me standarde të duhura të sigurisë dhe të kontrolluar, apo në shumë sosh jo adekuate anembanë Kosovës?/D. Gashi

Çfarë janë materiet e rrezikshme?

Mbeturinat e rrezikshme, sipas raportit, gjinden në forma dhe ambalazhime të ndryshme, që sipas informatave që posedojmë janë tretës organikë, ngjyra, llaçe të ndryshme, substanca ngjitëse, tretës për metale, tretës kimikë (me karakter acid ose alkaline), por edhe aso radioaktive, si Kobalt 60 (Co60) dhe të tjera të panjohura, etj.

Ku gjenden materiet e rrezikshme?

Në bazë të vëzhgimeve, inspektimeve dhe të dhënave të fituara, mund të zbulohet se zonat e zhvilluara industrialisht janë ato që kanë përqendrim të madh të materialeve të rrezikshme.
Një përqendrim i madh është i pranishëm në Mitrovicë (Trepça), Kishnicë (Trepça) dhe KEK- Kastriot, pa neglizhuar edhe vende të tjera, si Ferronikeli, Bateritë-IBG në Gjilan, fabrika e auto-pjesëve në Pejë, IMK në Ferizaj, Farmakosi në Prizren etj.
Dy qendra me këto substancat të rrezikshme gjinden në Zveçan dhe Leposaviq, dhe inspektohen rregullisht drejtpërdrejt nga KFOR-i duke qenë e vështirë qasja e zyrtarëve të MMPH-së. (Nga raporti)

Burimi: Raporti “Mbeturinat e rrezikshme industriale në Kosovë”
Foto: AMM

Leave a Reply