Pamje apokaliptike: Lejleku i bardhë në sfond tymi e flakësh

Degradimi i natyrës

Lejleku i bardhë (Ciconia ciconia), numërohet ndër llojet në mbrojtje të përhershme në Kosovës, si i rrallë dhe i rrezikuar për zhdukje

Lejleku i bardhë, kjo shpezë e bukur dhe elegante, e po ashtu edhe indikator i mjedisit të pastër, zgjon asociacione apokaliptike i parë kështu në sfond të flakëve të zjarrit në fushë. Fotografinë e ka shkrepur adhuruesi natyrës Imri Krasniqi, më 26 korrik të këtij viti, në rrethinë të Lipjanit.

Në të vërtetë, zjarri është shkaktuar nga djegia e hamulloreve pas korrjes së grurit, një shprehi e keqe kjo e bujqve tanë, dhe lejleku nuk është i rrezikuar. Por, mjedisi i tillë sigurisht se nuk është shpresëdhënës për këtë lloj, ndërsa me djegien e hamulloreve e pësojnë lloje të shumëta.

Institucione të mjedisit e të bujqësisë thuaja se çdo verë tërheqin vërejtjen për mos t’i djegur hamulloret, sepse kështu ndotet ambienti nga gazrat që ememtohen, por dëmtohet edhe toka bujqësore.

“Hulumtimet e fundit kanë vërtetuar se ky veprim përveç që shkatërron masën bimore që gjendet në arë, shkatërron edhe mikroflorën dhe mikrofaunën e dobishme në thellësi 5 deri në 10 cm. Me këtë veprim shkatërrohet një sasi e madhe e kashtës e cila do të mund të lëvrohej dhe futet në tokë duke plehëruar dhe përmirësuar strukturën dhe plleshmërinë e tokës”, thuhet në një kumtesë të mëhershme të Ministrisë së mjedisit.

Lejleku i bardhë (Ciconia ciconia), numërohet ndër llojet në mbrojtje të përhershme në Kosovës, si i rrallë dhe i rrezikuar për zhdukje.

Në Shqipëri po ashtu mbart statusin si specie e rrezikuar, madje në mënyrë kritike për zhdukje. Gjenden rreth 6 çifte lejlekësh të përhapur në zonën e Mbrostarit (Fier), në Virua (Gjirokastër), si dhe në Finiq, Cukë, Mesopotam e Vrion (Sarandë)./bbgreenkosova

Burimi: Vlerat e trashëgimisë natyrore të Kosovës
Foto: Imri Krasniqi

Leave a Reply