Temperaturë rekorde e lartë në Arktikun norvegjez

Më të rejat

Në arkipelagun norvegjez Svalbard në Arktik dje është matur temperatura prej 21.2 gradë, që është më e larta në katër dekada dhe shumë afër temperaturës historikisht rekorde, njoftoi Instituti meteorologjik norvegjez.

Këtë pasdite u regjistrua temperatura prej 21.2 gradësh, e cila është dita e dytë më e ngrohtë në arkipelag qëkur bëhën matjet e këtij lloji. Ishte më e ngrohtë vetëm më 16 korrik të vitit 1979, kur zhiva u ngjit në 21.3 gradë, tha meteorologu Kristen Gislefos.

Svalbard, i quajtur dikur Shpicberg, ndodhet 1.000 kilometra nga Poli i veriut, dhe “vala e nxehtësisë” e djeshme është e pazakontë për periudhën e verës. Temperatura e pritshme në korrik është midis pesë dhe tetë gradë.

Sipas shkencëtarëve, Arktiku po ngroh dy herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit. Vera e vitit 2020 u shënua nga periudha të nxehta në pjesën ruse të Arktikut. Që nga janari, temperaturat në Siberi kanë qenë pesë gradë më të larta se zakonisht, ndërsa temperaturat më të larta jashtë Rrethit Arktik janë 38 gradë.

Raporti zyrtar Norvegjez i publikuar së fundmi “Klima në Svalbard 2100” parashikon që temperatura mesatare në atë arkipelag në periudhën 2070-2100 do të rritet me shtatë deri në 10 gradë në krahasim me periudhën midis viteve 1970 dhe 2000, në varësi të nivelit të emetimeve njerëzore. në dekadat në vazhdim.

Ndryshimet janë tashmë të dukshme, kështu që raporti thotë se “nga viti 1971 deri në 2017, u regjistrua ngrohja prej tre deri në pesë gradë, me një rritje më të madhe gjatë dimrit”.

I njohur për arinjtë e tij polar, Svalbard është një paradoks sepse strehon edhe një minierë të qymyrit, përpunimi dhe përdorimi i së cilës gjeneron gazrat e serës, por edhe “Arkën e Noes për bimët”, e hapur në vitin 2008 për të mbrojtur bimët nga ndikimi njerëzor.

Ajo kasafortë, e cila supozohet të jetë një nga linjat e mbrojtjes kundër ndryshimit të klimës, ishte vetë viktimë e ngrohjes globale. U deshën rreth 20 milion euro për të riparuar dëmet nga depërtimi i ujit, të shkaktuara nga shkrirja e permafrostit në vitin 2016./bbgreenkosova

Burimi: AFP
Foto: Polar Bears International / AFP

Leave a Reply