Koment: Në rrethin vicioz të korrupsionit e të shkatërrimit
Shkruan: Dush Gashi
Ngjanë si fenomen meteorologjik, me cikle të caktuara. Sapo deponia tranzite e mbeturinave në Gjakovë, në një lagje në hyrje të qytetit mbushet dhe plehrat duhet të barten për në deponinën e përhershme në Landovicë, dikush ia vë zjarrin. Me ditë të tëra ajo lagje, po edhe i tërë qyteti, ngufatet në tym. Kështu ka ndodhur për vite të tëra, kështu ndodhi edhe tërë këto ditë korriku.
“Ka tri javë që digjen mbeturinat në hyrje te qytetit.Tymi dhe gazra të rrezikshme po e kundërmojnë qytetin dhe rrethinën”, ka shkruar në profilin në Facebook të portalit tonë qytetari Selim Bejtullahu.
Sipas kryetarit të komunës, Ardian Gjini, nuk ka dyshim se fjala është për zjarrvënie të qëllimshme. Siç i ka deklaruar ai televizionit lokal Syri Vision, dikush në plehra, në shumë vende, deri në thellësi, ka hedhur lëndë djegëse të lëngshme, në mënyrë që zjarri të jetë i qëndrueshëm dhe të mos mund të fiket. Ashtu edhe ka ndodhur, dhe zjarrfikësit kanë qenë të pafuqishëm, pasi që as shiu nuk ka mundur ta fikë zjarrin.
Të dhënat tjera nga kryetari i komunës çojnë në gjurmë thuaja se të sigurta. Deri në vitin 2016 këto mbeturina prej deponisë tranzite i ka bartur kompania “Çabrati”, po pastaj puna i është dhënë një kompanie private. “Është hera e tretë që fillojmë pastrimin, dhe në momentin që ne bëhemi gati ta fillojmë pastrimin qëllimisht digjen, për shkak se kur digjet nuk mund të bartet ajo sasi shumë e madhe e mbeturinave”, ka thënë kryetari Gjini.
Edhe policia, qysh në fillim të muajit, ka bërë të ditur se janë duke u marrë në pyetje disa persona si të dyshuar për zjarrvënie. Por, sot e atë ditë nuk kemi dëgjuar emra të përveçëm.
Ardian Gjini nuk është prej sot në politikë dhe nuk është i paditur, e di se ç’duhet të deklarojë për ta qetësuar publikun. Paraqitet si i alarmuar, thotë se çështjen e ka marrë mbi vete, se është takuar me ministrin, si i kanë filluar procedurat… Por, Ardian Gjini e pushtetarët tjerë, lokalë e qëndrorë, dhe ne të gjithë si shoqëri, nuk kemi përgjigje për një pyetje që e shtroi një qytetar: Ku keni qenë këto 20 vjet?!
***
Për fat të keq, koha nuk ka ndaluar vetëm për pushtetarët e Gjakovës. Dy lajmet në vazhdim tregojnë se për pushtetarët tanë një natë mund të jetë tepër e gjatë.
I pari thotë se ministri i ambientit dhe planifikimit hapësinor, Ferid Agani, në një takim ku “ishin prezentë përfaqësuesit e komunës së Pejës, Gjakovës, Deçanit dhe Junikut”, “ka prezantuar draftin final (e lexuat mirë: final) të planit hapësinor për rregullimin e parkut kombëtar “Bjeshkët e nemuna”. Ministri Agani e ka vlerësuar se plani, i cili ka qenë “transparent” dhe se për të “është arritur konsensus i plotë midis institucioneve qëndrore, atyre lokale dhe banorëve që jetojnë në hapësirën e parkut” – “paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për zhvillimin ekonomik të komunave përkatëse dhe promovim më të mirë të vendit tonë dhe njëkohësisht do të ndikojë dukshëm në mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit”.
Lajmi i dytë pothuajse është identik me të parin: ministri është takuar përsëri me përfaqësuesit e pesë komunave të përmendura të Dukagjinit, përsëri temë është draft-plani hapësinor i parkut kombëtar “Bjeshkët e nemuna” dhe hapat që duhet ndërmarrë “për ta shtyrë përpara deri në aprovimin e tij” për çka edhe është duke u punuar “në mënyrë intensive me të gjithë akterët”. Ka edhe dallime me lajmin e parë: tash ministri është “për ambient dhe ekonomi”, meqë me fuzionimin e dy sektorëve nën një kulm ka ndryshuar edhe emri i ministrisë, ndërsa ministër është Blerim Kuçi. Por, këto nuk duket të jenë dallime esenciale, të cilat do të ndryshohin rrënjesisht qasjen ndaj temës për të cilën bëhet fjalë.
Lexuesi mund të mendojë se është ky aktivitet në vazhdim, ndërsa në ndërkohë është ndërruar qeveria dhe se ministri i ri po e lidh fillin aty ku e ka lënë ministri pararendës. Por, ka një problem këtu: datat e këtyre lajmeve. Takimi i parë ka ndodhur më 12 prill të vitit 2016, i dyti më 9 korrik të vitit 2020! Mes dy takimeve nuk ka kaluar vetëm një natë e gjatë, por plot katër katër vjet e katër muaj! Madje, ka edhe vite tjera përpara qëkur ky plan pret të miratohet! Dhe, deri sa pushtetarëve u është ndalur ora, të tjerëve u ka ecur si gjithmonë! Sipas të dhënave të Agjencisë për mbrojtjen e mjedisit, për gjithë këto vjet, 60 sharra elektrike, apo gereta, sa ka vetëm në komunën e Deçanit, ditë për ditë, kanë punuar nga 24 orë në ditë! Besoj se nuk ka nevojë të tregohet se ku i kanë marrë drunjtë?! Dhe se çfarë ka mbetur për të mbrojtur ministria e ambientit dhe e ekonomisë?!
Në Pejë, ndërkaq, dje dukeshin shumë të egërsuar rugovasit, të cilit ishin rebeluar pasi prokuroria e kësaj komune ua paska ndaluar bartjen e materialit ndërtimor për shkak se ndërtimet qenkan pa leje. E çfarë kanë bërë ata gjatë tërë këtyre viteve? Kanë pushuar, si qeveritarët? Jo, nuk janë aq të marrë! Dhe, kush ka faj në këtë mes: pushtetarët që nuk ua kanë dhënë lejet, në pritje të miratimit të planit hapësinor “Bjeshket e nemuna”, apo ata që kanë bërë ndërtime pa leje?
Kemi ngecur në rrethin vicioz të korrupsionit – të gjeneruar nga qeveria e të shpërndarë kapilarisht në tërë shoqërinë, siç vlerësohet në të gjitha raportet e progresit për Kosovën dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare – ku më s’dihet kush është fajtor e kush i pafajshëm! Në rrethin vicioz të shkatërrimit konstant, moral e material, të një shoqërie të pashpresë.
Foto: Preportr