Pelini, i hidhur po me shumë të mira
Lulëzon gjatë tërë verës dhe e hasim kahmos, përdoret për për shtimin e oreksit e përmirësimin e tretjes, por edhe për përfitimin e pijeve aromatike
Pelini (Artemisia absinthum L.) është bimë barishtore shumëvjeçare e lartë deri një metër. Rritet si gjysmë dru me pjesët e poshtme të drunjëzuara. Kërcelli është barishtor, vertikal, leshatuk. Gjethet janë pendore të çara, në të dy anët të mveshura me qime të buta. Lulet janë të verdha në të artë ose të gjelbra në të artë, të imëta dhe të bashkuara në lulesë xhufkore. Bima lulezon gjatë tërë verës.
Pelini rritet në tokë të papunuar, nëpër shpatije të thata dhe gurore, në vende diellore, pranë rrugëve, rreth vendbanimeve. Shpesh haset nëpër kopshtije, si bimë dekorative.
Droga.– Gjethi i pelinit (Absinthi folium); pjesa mbitokësore e pelinit (Absinthi herba).
Gjethi i pelinit mblidhet në pranverë, para lulëzimit të bimës deri sa është e re dhe e shëndoshë. Gjethi i mbledhur thahet në shtresë të hollë në vend të ajrosur ose në tertore në temperaturë deri 40 °C. Gjatë tharjes duhet të rrotullohet shpesh që të thahet mirë dhe ta ruajë ngjyrën natyrale të gjelbër në të argjendtë dhe aromën.
Prej 4 kg gjethesh të njoma fitohet rreth 1 kg gjethesh të thara.
Droga paqetohet në qese letre, thasë natron pse presohet në dëngje. Ruhet në vend të thatë e të ajrosur.
Pjesa mbitokësore e pelinit mblidhet deri sa bima është në lulëzim. Nuk duhet të mblidhen bimët e lulëzuara së tepërmi. Gjatësia e lejueshme e kërcejve është 25 cm. Thahet, paqetohet dhe ruhet në të njëjtën mënyrë si edhe gjethi.
Prej 2 deri 3 kg bime të njomë fitohet rreth 1 kg droge.
Droga duhet të ketë ngjyrë të gjelbër në të përhimtë, aromë karakteristike dhe shije shumë të hidhur.
Përbërja kimike dhe përdorimi. – Përmban vaj eterik dhe materie të hidhura, dhe materie tjera. Përdoret si mjet aromatik i hidhur, jepet në formë çaji, tinture dhe ekstrakti, si mjet për shtimin e oreksit, për përmirësimin e tretjes, ndihmon në nxjerrjen e gazrave. Pelini më së shumti përdoret për përfitimin e rakisë së hidhur, likerit dhe pijeve tjera (vermut, absent, etj.). Është i helmueshëm nëse merret në sasi të mëdha./bbgreenkosova
Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova