Toka e Kosovës nuk është shumë e ndotur, por po shkatërrohet nga ndërtimet

Më të rejat

Toka është e ndotur në zona të caktuara dhe ka edhe “pika të nxehta” mjedisore, po në përgjithësi nuk është e ndotur dhe ushqimi nuk është i kontaminuar, madje mund të prodhohet ushqimi organik. Por, shkatërrimin më të madh toka bujqësore po e pëson nga ndërtimi, duke humbur prej 500 deri 1.000 hektarë në vit

Kanë filluar aktivitetet për sanimin e tokave të kontaminuara në Kosovë. Ministria e infrastrukturës dhe ambientit, ka bërë të ditur se për këtë qëllim fillon me veprimin afatgjatë “Gjelbërimi i tokës” (Greening Land), të mbështetur nga Banka Botërore, i cili përfshinë demonstrimin e sanimit të tokave në disa lokacione si dhe zhvillimin e politikave dhe kapaciteteve institucionale për menaxhimin e tokave të ndotura.

Ndotja e tokës (dheut), e cila edhe në komunitetin e përgjithshëm botëror ka filluar të trajtohet së voni si problem mjedisor, shkaktohet nga industria, ujërat e ndotura dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave të ngurta, si dhe nga përdorimi i plehrave kimike dhe herbicideve në tokat e mbjella. Si pasojë, dëmtohet biodiversiteti, ndërsa materiet ndonëse, nëpërmjet ushqimit me produktet bujqësore, dëmtojnë edhe shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve.

Zona të kufizuara të ndotjes

Përkundër bindjes së përgjithshme, tokat e Kosovës megjithatë ka dalë të mos jenë shumë të ndotura. Një studim bukur i gjerë, i financuar nga Bashkimi Evropian, i kryer në vitin 2015, ka përfunduar se ndotja e tokës bujqësore në Kosovë kufizohet në zona “të vendndodhjes specifike dhe në zona të kufizuara”. Ka “pika të nxehta” mjedisore dhe këto tashmë janë identifikuar. Por, këto vende nuk përdoren për prodhime bujqësore. Përveç kësaj, ndikimi i tyre në tokat fqinje dhe dheun bujqësor dhe në ushqimin e kafshëve të prodhuar nuk është i theksueshëm.

Po ashtu, ajo që është më e rëndësishme është se rezultatet e studimit kanë treguar se nuk është gjetur ndonjë rrezik për shëndetin publik në ndonjërin nga produktet e ushqimit dhe ushqimit të kafshëve të analizuara nga projekti në zonën e studimit. Kjo përfshinë të korrat, produktet e kafshëve (mishi, shpezët, peshku, vezët dhe produktet e qumështit dhe qumështit të papërpunuar). Vlerat maksimale të lejuara të materieve ndotëse në prodhimin vendor gjithashtu kanë qenë më të ulëta se limitet e përcaktuara me ligje.

Studimi vlerëson se ekziston mundësia për ngritjen e prodhimit bujqësor e po ashtu për një fushëveprim të konsiderueshëm për të zhvilluar produkte bujqësore organike dhe speciale, të cilat kanë kërkesë të lartë në rajon dhe në shtetet anëtare të BE-së.

Ndërkaq, analizat e fizibilitetit tregojnë se edhe në tokat e ndotura mund të shfrytëzohen për produkte jo ushqimore, si kërp, farë drithërash, drithëra, liri, farëra për vaj e prodhime të tjera, për të cilat thuhet se duhet parë si mundësi për zhvillimin e tregjeve dhe ndërmarrjeve të reja.

Studimi po ashtu i kundërvëhet mendimin e ngulitur, i cili edhe haset në literaturën e përgjithshme, se shumica e fermave vlerësohen si të vogla me rendimente të ulëta. Rendimenti për hektarë mund të jetë i ulët krahasuar me Evropën veriore. Por, është ky krahasimi është me bujqësinë e subvencionuar dhe nivelet e larta të mekanizmit, inputet e larta të kimikateve bujqësore duke përfshirë pesticidet, herbicidet dhe plehrat, monokultura me farat e specializuara dhe për kompani të orientuara në të ardhura e marketing. Përveç kësaj, këto inpute të larta kanë quar në të kaluarën në degradimin e konsiderueshëm të mjedisit dhe dëmtimin e tokës bujqësore. Rendimentet kështu mund të jenë të larta por gjithashtu të kushtueshme.

Gjelbërimi i tokës

E meta e studimit është se mostrat e dheut janë marrë vetëm nga 17 komuna të Kosovës, ndërsa vëhet në dukje se puna duhet të vazhdojë edhe në 21 komunat tjera në Kosovë për të pasur një inventar të plotë mbi ndotjen e dheut.

Po ashtu, studimi, i cili kishte për qëllim mbështetjen e institucioneve qeverisëse duke zhvilluar hulumtime në ndotjen e tokës bujqësore dhe për të mbështetur zbatimin e legjislacionit vendor lidhur me token bujqësore dhe mbrojtjen e mjedisit, konstaton se Kosova, me mjetet prej vetëm 0.1% të GDP-së totale i përkushtohet mbrojtjes së mjedisit, prej të cilit varet edhe cilësia e tokës, ndërsa nuk ka fonde për monitorimin e ndotjes së dheut.

Projekti i tanishëm i Bankës Botërore “Gjelbërimi i tokës” (Greening Land) synon të mbështesë vendin në zhvillimin dhe zbatimin e një plani të veprimit afatgjatë për riparimin dhe ri-zhvillimin e tokave të kontaminuara në Kosovë. Projekti do të kontribuojë në zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese për mbrojtjen e mjedisit, në zbutjen dhe përshtatjen e efekteve nga ndryshimeve klimatike duke adresuar pengesat e identifikuara. Do të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të tokës së kontaminuar për të zvogëluar rreziqet e shoqëruara shëndetësore dhe për të realizuar vlerat ekonomike, mjedisore dhe sociale nga ri-zhvillimi i tokës, siç është krijimi i hapësirave të gjelbëruara urbane, zhvillimi komercial, dhe prodhimi i energjisë së ripërtëritshme.

Projekti përfshinë, ndër tjera, ri-zhvillimi e tokës së ndotur në lokacionin e Korporatës Energjetike të
Kosovës, i vendosur në një zonë më të madhe të Prishtinës (rreth 5 milionë dollarë), zhvillimi i politikave dhe kapaciteteve institucionale për menaxhimin e tokave të ndotura (3.1 milionë dollarë), përgatitjen e planeve për riparim dhe ri-zhvillim në dy ose tre lokacione të tjera (rreth 1.1 milion dollarë), identifikimi në nivel kombëtar të lokacioneve të dyshuara dhe një inventar të tokave të ndotura në një ose dy komuna të përzgjedhura.

Betonimi i tokës

Por, problemi më i madh për tokat bujqësore të Kosovës është se ato me të madhe po betonohen nga ndërtimet e shumta, e ato është vështirë të kthehen prapë në tokë pjellore.

Për këtë nuk është bërë ndonjë studim, por vazhdimisht citohen zyrtarë të Ministrisë së bujqësisë e të zhvillimit rural të thonë se nga degradimi i tokave bujqësore Kosova çdo vit po humb 500 deri 1.000 hektarë tokë. Herën e fundit, këto statistika i ka prezantuar në një Konferencë për ndërtim inxhinieri i bujqësisë Afrim Shraku, në paraqitjen e tij me temën “Degradimi i tokave bujqësore nga ndërtimi”.

Sipas Sharkut, ka dy grupe të shkatërrimit të tokës, i përkohshëm dhe permanent. Shkatërrimet permanente janë ato nga ndërtimet – ndërtimi me destinacion për industri, rrugët dhe shfrytëzimi i inerteve përgjatë shtretërve të lumenjëve. Mungesa e vetëdijes, përgjegjësisë dhe shpeshherë edhe paaftësia janë shkaqet sipas tij, por edhe ligjet që nuk zbatohen.

Sipas kryetarit të Federatës sindikale të bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, qysh nga paslufta tokat janë uzurpuar afër magjistraleve dhe kanë nisur ndërtime të ndryshme. Uzurpimet nuk kanë mundur të ndalen, për shkak se ato toka janë uzurpuar nga “njerëz me influencë”, të cilët edhe “nuk kanë mundur të marrin masa kundër vetëvetes”.

Me këtë sigurisht ndërlidhet edhe fakti se Kosova, në nivel vendi, e as në nivel komunal, nuk ka harta zonale, me të cilat do të kufizoheshin zonat për ndërtim dhe zonat për tokë bujqësore. Në ambientin tashmë të njohur kosovar, nuk është habi që zvarritjet të mos jenë të paqëllimta dhe fare të rastësisshme./D. Gashi

Burimi: amm, mmph, Studimi mbi ndotjen e tokës bujqësore
Foto: Wikipedia, BB Green Kosova

Metalet e rënda

Rezultatet e analizave të mostrave të dheut tregojnë se përqendrimet e metaleve të rënda (Zn, Cu, Cr, Ni, Cd, Pb, Hg, Zn, Cu, As, dhe Ni) për 17 komuna janë brenda Standardeve të Ndotësit të Dheut (SNDH) të ‘Listës së Kosovës’ e përditësuar për pjesën dërrmuese të mostrave të dheut. Aty ku ka nivele të larta (p.sh. të Cr, Ni, Pb dhe Cd), atëherë studimet teren kanë treguar se lokacionet e mostrave të marra kanë qenë ose në zona bujqësore apo janë përdorë për qëllime jo bujqësore dhe/ose urbane.

Nuk është gjetur ndotje në ndonjërën nga të lashtat (perime, drithëra dhe fruta) nga mostrat e marra nga 17 komuna qoftë nga metalet e rënda (në veçanti Cr, Ni, Pb, Zn, dhe As) apo të ndotësve organikë.

Megjithatë, rekomandohet që si pjesë e Sistemit të menaxhimit të sigurisë së ushqimit (SMSU) të gjitha ushqimet dhe ushqimi për kafshë të analizohet rregullisht dhe në mënyrë sistematike për të siguruar sigurinë dhe besimin e publikut.

Rekomandimet

Në bazë të rezultateve të studimit, hapat në vijim mund të rekomandohen për menaxhim të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm për mjedisin të tokës bujqësore në të ardhmen:
*Përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave në tërë Kosovën si dhe të fillohet me ndërtimin e impiantet e trajtimit të ujërave të zeza për industri dhe ekonomi familjare;
*Kontrollimi dhe promovimi i teknologjive më të mira në dispozicion (TMD) për miniera dhe menaxhim të ujërave të zeza si dhe kontrollimi i deponive për rrjedhje të mundshme;
*Realizimi i studimeve shtesë për të identifikuar dhe rrethuar ‘pikat e nxehta’ dhe nëse është e nevojshme, të aplikohet rehabilitimi i duhur duke përdorë TMD-të.

Studimi në 17 komuna

Zona gjeografike, e cila është mbuluar me studimin, ka përfshirë 17 komuna në Kosovë: Prishtina, Mitrovica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Vushtrria, Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Podujeva, Lipjani, Rahoveci, Shtimja, Suhareka, Novobërda, Prizreni, Gjilani dhe Ferizaji, me sipërfaqe të përgjitshme prej 4.101 kilometra katrorë. Janë marrë 2 804 mostra2 të dheut duke zbatuar metodologjitë ndërkombëtare (ISO), të cilat ruhen për studime të mëtejme.

(Nga “Studimi mbi ndotjen e tokës bujqësore”)

Leave a Reply