Shtogu, një bimë e kërkuar, një vendbanim yni e ka emrin sipas tij

Bimët

Lulja e shtogut përmban materie të cilat shkaktojnë djersitje dhe përdoren kundër flamës dhe të ftohurave tjera. Fruti përdoret si mjet për pastrim, djersitje dhe urinim

Shtogun e njohin të gjithë, ndërsa, sipas Ibrahim Rugovës, qyteza Istog në veriperëndim të Kosovës e ka marrë emrin mu sipas kësaj bime.*

Shtogu (Sambucus nigra L.) është bimë shumëvjeçare, e cila rritet si kaçube ose si dru. Gjethet i ka pendore teke dhe të dhëmbëzuara jonjësoj. Lulet janë të bardha dhe të bashkuara në lulesë si mburojë, me aromë të këndshme. Lëvorja e kërcelli ka ngjyrë hiri e degët e reja kanë ngjyrë të gjelbër me lanticela.

Fruti është i vogël, bërthamor, i zi. Lulëzon prej majit deri në korrik, që varet prej lartësisë mbidetare.

Shtogu haset i vetmuar nëpër pyje, skaj pyjeve, skaj përrojeve, rrugëve dhe vendbanimeve.

Droga – Lulja e shtogut (Sambuci flos): Lulja mblidhet në mot të mirë e të thatë në fillim të lulëzimit të bimës. Mblidhen mburoja të tëra. Nuk duhet të mblidhen lulesat prej të cilave bijnë lulet, sepse atëherë fitohet droga mjekësore me ngjyrë të errët. Lulesat mblidhen në shporta dhe nuk bën të shtypen. Duhet të thahen menjëherë, sepse nëse lulet e freskëta mbesin një kohë të gjatë në grumbull, nxihen. Lulesat thahen të tëra në shtresë të hollë në hijë, në vend të ajrpsur, në tavan të ngrohtë, por më së miri është në tertore në temperaturë deri 40°C.

Lulja e shtogut (Foto: Wikipedia)

Lulesat e thara kështu (Sambuci flos cum stipites) mund të siten në sita dhe bishtat të hudhen. Lula e shtogut pa bisht (Sambuci flos sine stipites) çmohet dhe kërkohet shumë.

Lulet e thara duhet të mbesin me ngjyrë të bardhë në të verdhë dhe me erë të këndshme. Duhet të jenë të thara mirë ashtu që kur të shtrëngohen në grusht ose kur bëhen shuk, bëhen plis kur hapet dora.

Lulja paqetohet menjëherë pas tharjes në thasë natron të katërfishtë ose në dëngje jute. Droga thahet në lokale të pastërta, të ajrosura dhe të errëta. Nëse s’paqetohet mirë dhe ruhet në vend të lagësht, shpejt e tërheq lagështinë dhe nxihet. Kjo drogë s’vlen për përdorim.

Fruti i shtogut (Foto: Wikipedia)

Fruti i shtogut mblidhet kur të piqet dhe të nxihet, por mblidhen krejt mburojat me fruta. Thahen së pari në temperaturë të rëndomtë, pastaj në tertore në temperaturë deri në 60°C. Pasi thahen, frutat hiqen prej bishtash.

Fruti paqetohet në thasë të vegjël letre dhe jute dhe ruhet në vend të thatë e të ajrosur.

Përbërja e përdorimi: Lulja e shtogut përmban materie të cilat shkaktojnë djersitje dhe përdoren kundër flamës dhe të ftohurave tjera. Fruti përdoret si mjet për pastrim, djersitje dhe urinim.

Shtogu në afëri të pishinës së Gërmisë, në Prishtinë (Foto: BB Green Kosova)
  • Toponimi Istog, sipas presidentit të Kosovës Ibrahim, Rugova, nuk ka të bëjë me anën lindje të horizontit në serbishte, istok, por me emrin e bimës shtog, e cila ka dalë në grykën prej ku buron lumi i Istogut. Po ashtu, sipas Rugovës, ai ka gjetur në arkivat e Vatikanit se qysh në shek. IV pas Krishtit këtu ka jetuar Martin Istogu, pra së paku 200 vjet para ardhjes së sllavëve në këto anë. (Cituar sipas Bardh Nëngurrës, Gazeta Infokus)

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova, Wikipedia

Leave a Reply