Rëra sahariane mbi Kosovë, si krijohet, a është e dëmshme
Foto: BB Green, Sat24
Meteorologët e shpjegojnë se rëra nga Sahara mund të gritet deru në lartësitë e mëdha të shtresës ajrore sahariane e pastaj erërat e bartin deri në vende e dete të largëta. Kjo dukuri po ndodh këto ditë edhe në Kosovë
Dje, sidomos paradite, e parë nga kodrat mbi qytet, Prishtina dukej e zhytyr në re pluhuri, edhe më të dendura se ato që shpesh krijohen nga termocentralet “Kosova”. Ndonëse në popull ka qenë e njohur bora “e kuqe” dhe shiu “i kuq”, pak kush e di se edhe reshjet “e ngjyrosura”, edhe pluhuri i këtoditshëm kanë një shkaktar – rërën nga shkretëtira e Saharasë në Afrikë!
Si arrin rëra afrikanë mbi vendin tonë? A është e dëmshme për shëndet?
Meteorologët e shpjegojnë se rëra nga Sahara mund të ngritet deri në lartësitë e mëdha të shtresës ajrore sahariane (SAL – Saharan Air Layer) e pastaj erërat e bartin deri në vende e dete të largëta. Rëra shpërndahet jo vetëm në vendet pranë detit Mesdhe, por arrin edhe në vende të tjera në Evropë, deri në Angli e Irlandë. Kur ka të reshura deri sa rëra është e pranishme në atmosferë, ato bijnë “të ngjyrosura”.
Këtë herë, siç e kanë shpjeguar meteorologët tanë, një ciklon mbi Itali, i cili po kalon përmes Ballkanit verior në drejtim të Evropër lindore, krijoi kushte që rëra sahariane të arrijë deri te ne. Lajm i mirë është se, po ashtu sipas meteorologëve tanë, se cikloni pritet të largohet shumë shpejt thellë në drejtim të Evropës lindore dhe verilindore dhe në këtë mënyrë mbi rajonin tonë do të vendohet masa ajrore stabile anticiklonike. Me këtë gjatë ditës pritet që edhe erërat të qetësohen.
Për fat të keq, ky pluhur është i dëshëm për shëndet. Ato janë grimca të pluhurit me diametër 10 e 2,5 mikronë. Grimca tepër të imëta, të cilat depërtojnë në mushkëri, madje edhe në sistemin e qarkullimit të gjakut. Ato shkaktojnë probleme respiratore akute e kronike, e po ashtu në vitin 2011, pas një studimi të madh të Organizatës botërore të shëndetësisë është dëshmuar se shkaktojnë edhe probleme kardiovaskulare. Por, lajm i mirë është se kushtet e tilla atmosferike nuk zgjasin shumë.
Kështu ka parashikuar edhe meteorologu Mendim Rugova, i cili për mediat vendore ka bërë të ditur se grimcat e pluhurit saharian do të jenë të pranishme në Kosovë edhe gjatë ditëve të ardhshme, por jo me vlera kaq të larta. Madje, Rugova ka thënë se gjatë javës që vjen do të ketë të reshura shiu, kështu që pritet të pastrohet ajri në përgjithësi.
Sipas tij, këto grimca nuk sjellin rreziqe për qytetarët e Kosovës sepse ato kanë qenë vetëm të çastit që kanë zgjatur për dy-tri orë.
“Këto kanë qenë vetëm vlera të çastit për disa orë, sepse në mbrëmje (dje) kanë filluar të bien ato. Nëse ka ekspozim më të gjatë të këtyre grimcave, mundet me qenë i rrezikshëm për njerëz që kanë probleme me sëmundje kronike”.
Burimi: BB Green, mediat