Kujdes me xhërrokullin vjeshtor, është i helmueshëm!
Kolhicina, në përbërjen e tij, është e helmueshme, për çka edhe xhërrokulli vjeshtor është i njohur me emrin arseni bimor
Xhërrokulli vjeshtor apo lulevonja (Colchium autumnale L.) është bimë brishtore shumëvjeçare, e cila thellë nën tokë e ka qepujkën në formë dardhe. Lulëzon në vjeshtë, prej gushtit në tetor, prej kërcellit dalin lulet ngyrë vjollve të çelët/ Vitin tjetër, në pranverë, mbijnë gjethet heshtake, mes të cilave paraqitet fruti, kapsollë me shumë fara. Fruti i ri ka ngjyrë të gjelbër, kur piçet të gështenjtë të errët. E tërë bima është e helmueshme për njerëz dhe për kafshë.
Rritet në sasi të mëdha në livadhe të lagështa malore e kodrinore.
Pjesët e përdorshme: Farat (Colchici semen), qepujka (Colchici tuber).
Farat mblidhen në verë, kur kapsolla piçet, d.m.th. merr ngjyrë të gështenjtë të verdhë. Mblidhen kapsollat e tëra dhe shtihen në letër në vend të ngrohtë për t’u pjekur. Kapsollat atëherë vetë pëlcasin. Pastaj futen në thasë për të rënë farat. Me shoshitje largohen pjesët e kapsollave, pastaj farat thahen.
Prej 9 kg farash të njoma fitohet rreth 1 kg kapsollash të thata.
Fara është e rrumbullakët, shumë e fortë, me diametër 2 deri 3 mm. Të njoma janë të bardha, kur piçen ngjyrë gështenje të errët. Ka shije të hidhur dhe djegëse.
Qepujka kërkohet më rrallë. Nxirren në vjeshtë, në kohën e lulëzimit të bimës. Pritet në feta të holla 3 deri 5 mm dhe thahet në tertore deri në 40 °C ose në ndonjë vend të ngrohtë afër stufe.
Si edhe fara, qepujka nuk ka erë. Ka shije të hidhur.
Përbërja kimike dhe përdorimi. – Përbërësit kryesorë janë alkaloidet, kolhicina dhe kolhaminet. Në farë ka edhe rrëshirë, vaj të yndyrshëm dhe materie tjera.
Kolhicina është e helmueshme, për çka edhe xhërrokulli vjeshtor është i njohur me emrin arseni bimor.
Kolhicina në mjekësi përdoret me veprim shumë të ngushtë terapeutik, kështu që nuk është për përdorim nga laikët. Janë shënuar helmime të kobshme, kur e kanë ndërruar me hudhrën e egër (lat. Allium ursinum). Shenjat e helmimit paraqiten 2-5 orë pas konsumimit. Simptomet fillestare janë neveria, të vjellët, ngërçe në stomak dhe diarre, zemra rrahë më ngadalë dhe mund të shkaktohet edhe vdekja. Bima e tharë nuk i humbë vetitë, kështu që mbetet e helmueshme me vite. Disa kafshë, delja apo dhia, mund edhe ta hanë pa pasoja të dëmshme, por helmi kalon në qumësht dhe i rrezikon të vegjlit, ndërsa ka të dhëna se janë helmuar edhe njerëzit nga qumështi i dhive të cilat kanë ngrënë xhërrokull vjeshtor./bbgreenkosova
Burimi: Literatura profesionale
Fotot: BB Green Kosova, Wikipedia