Fejton: Bujqësia urbane, një koncept i ri jetese, një mënyrë e re e të ushqyerit (5)
Foto: agriculture Paris
Autore Behare Bajraktari
Projekt që hapë vende pune, krijon kushte shëndetësore dhe tregon kulturë qytetare
Sipas studiuesit Halil Ibrahimi dobitë e bujqësisë urbane janë të shumta :” Nëpërmjet saj lokalizohet prodhimi i ushqimit dhe në këtë mënyrë pakësohet lirimi i dioksidit të karbonit në natyrë për shkak të kursimit të karburantëve që harxhohen në procesin e prodhimit dhe transportit. Në anën tjetër kjo krijon vende të reja të punës, sidomos në Kosovë ku mundësitë e punësimit në sektorin e bujqësisë akoma janë të paeksploruara mirë. Produktet ushqimore të prodhuara në këtë mënyrë janë më të shëndetshme duke qenë edhe më të freskëta”.
Ndërtimet e shumta e kanë humbur harmonizimin me natyren, me bimët, me gjelbërimin, prandaj edhe kërkohet një plan, dhe deputeti Muharrem Nitaj thotë se: “Ne si komision e kemi për detyrë të merremi me infrastrukturen ligjore, me mbikqyrjen e zbatimit të ligjeve në këtë fushë si dhe mbikqyrjen e institucioneve që janë përgjegjëse në zbatimin e politikave në këtë sektor. Këtë punë e bëjmë dhe natyrisht mundohemi që të japim kontributin tonë edhe me ide. Por politikat dhe zbatimin e tyre e bën qeveria”, thekson Nitaj.
Për të jetuar shëndetshëm së pari duhet të kemi mjedis të pastër, pa mbeturina dhe me gjelbërim. Njeriu duhet të tregoj shumë kujdes dhe të krijojë sa më shumë zona të gjelbëra, sidomos për fëmijët që luajnë në parqe dhe të moshuarit, që e kanë një mundësi të mirë për ecjet nëpër parqe dhe takimet me njëri-tjetrin.
Europa njihet për zonat e gjelbra, por ata duan që të forcohet objektivi i tyre që deri në 2030 të reduktohen gazra serrë në një rang prej 50% deri 55%, nga 40% (krahasuar me nivelet e 1990).
Këtë përparësi e ka edhe presidentja e sapo zgjedhur e KE-së Von der Leyen e cila liston klimën ndër çështjet e para duke propozuar legjislacionin për ta bërë BE-në neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050.
Von der Leyen përveç uljes së numrit të lejeve të ndotjes falas për linjat ajrore, gjithashtu, propozon të shtojë një taksë europiane të importit të karbonit për të inkurajuar shtetet e tjera për të rritur veprimet kundër ngrohjes globale.
E Kosova të vetmen taksë për mjedisin e ka ate të njohur si “taksa ekologjike” duke e shpërndarë për qëllime të tjera. Por, siç edhe shprehet studiuesi Halil Ibrahimi, për zona urbane si ato në Kosovë ku ndotja e ajrit shpeshherë i tejkalon kufijt kritik: “ bujqësia urbane do të ndihmonte shumë në pastrimin e ajrit dhe rrjedhimisht edhe në përmirësimin e shëndetit të njerëzve. Në strategjitë mjedisore në fuqi, kjo praktikë nuk është planifikuar në Kosovë, por do të duhej që të konsiderohet në mundësitë sa më të menjëhershme të rishikimit të tyre”. Kjo praktikë akoma nuk është prezente edhe në shumicën e vendeve të tjera në Ballkan, përveç Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi ku ka pasur disa iniciative viteve të fundit. Një projekt i Universitetit të Bolonjës viteve të fundit synon që praktikën e bujqësisë urbane ta inkorporojë në shtetet e Ballkanit”, thotë Ibrahimi.
Bujqësia urbane zbutë stresin
Europianët e civilizuar për bimët kanë një kujdes të jashtzakonshëm madje bujqësinë urbane e konsiderojnë edhe si një mënyrë shumë e mirë për të larguar stresin, por edhe kulturë qytetare.
E kundërta ndodhë në Kosovë, sidomos në kryqytet ku zona të tëra janë zona ndërtimi, pa asnjë diametër hapësire për parqe dhe gjelbërim. Prandaj është kaq e nevojshme, që mbi tarracat e banesve të shumta, të fillohet të krijohet koncepti i bujqësisë urbane. Nëse “turpërohen të bëhen bujq në mes të qytetit”, ata që ende i kanë vrragët e fshatit, mos të mbjellin perime, por mund të fillojnë të mbjellin çkado veç të jetë bimë, gjelbërim.
Kjo bujqësi ka për qëllim të ndikojë tek konsumatorët urbanë për produkte ushqimore dhe kësisoj, të shndërrohet në pjesë të sistemit urban të ushqimit. Në të punojnë banorët e qyteteve. Biologau Halil Ibrahimi për temën Bujqësia urbane thotë se: “ Ky projekt është duke përfshirë bujqësinë urbane në kurrikulën universitare në disa prej shteteve ballkanike, ku është i përfshirë edhe Universiteti i Prishtinës dhe ai i Pejës. Edhe pse akoma në fillim, ky projekt jep shpresa për familjarizimin e kosovarëve me këtë praktikë të dobishme ekonomike, shëndetësore dhe sociale”.
Komisioni parlamentar që vetëm bënte sehirë
Ndërsa sipas kryetarit të grupit parlamenatar për mjedis Muharrem Nitaj sa i përket hapësirve të shndërrimit të zonave të tokës në zona industriale dhe urbane, ai thotë se: “ Është një zinxhir i tërë që përfshihen në shndërrimin e tokës bujqësore në ate industriale apo ndërtimore. Ne, kemi raste kur jepen lejet ndërtimore edhe mjedisore për veprimtari që shkatërrojnë mjedisin, e nuk mund të bëjmë asgjë si komision, sepse janë respektu procedurat ligjore! Kemi pasur një debat të ashpër me ministrin e mjedisit për hidrocentralet. Po shohim mundesinë e krijimit të një komisioni hetimor për të parë se sa keto hidrocentrale janë në përputhje me normativën dhe kushtet mjedisore. Gjithçka është e komplikuar dhe nuk është aspak lehte”.
Për shkak të rritjes së rrezikut dhe zgjerimit të rrjetit, në nivel global, rajonal dhe nacional viteve të fundit janë ndërtuar rrjete të tëra që luftojnë krimin mjedisor. Këto rrjete bazohen në bashkëpunimin e institucioneve relavante duke filluar prej autoriteteve të mjedisit në nivel nacional e lokal, rrjetet policore (përfshirë Interpol, Europol dhe policitë kombëtare), doganat dhe sistemin e gjyqësisë me fokus në prokurorinë. Disa shtete, madje, kanë zhvilluar edhe departamente të veçanta brenda këtyre strukturave që mirren vetëm me çështjet e krimit mjedisor.
Sqarim: deklarata e (ish)deputetit Nitaj është marrë para se të shpërndahej kuvendi.