Ndryshimet klimatike po i shkatërrojnë fluturat, shkencëtarët kanë zbuluar se si t’i ndihmojmë

Më të rejat

Aftësia e fluturave për të thithur ose sprapsur rrezet e diellit me krahët e tyre mund të jetë një çështje jete dhe vdekjeje për këto insekte me gjak të ftohtë në kushtet e ngrohjes globale, sipas një studimi britanik të botuar këto ditë.

Kjo është përkeqësuar nga ndryshimet ekstreme të motit dhe luhatjet e temperaturës që rezultojnë nga ndryshimi i klimës.

Prandaj shkencëtarët po bëjnë thirrje për krijimin e zonave me hije në kopshte, parqe dhe ferma në mënyrë që këto kafshë të mund të strehohen dhe të qetësohen.

Fluturat nuk janë krijesa me gjak të ngrohtë dhe nuk mund të krijojnë dhe rregullojnë temperaturën e trupit të tyre.

Kërkimet kanë zbuluar se speciet me gjak të ftohtë që luftojnë për të ruajtur temperaturën e trupit shpesh varen nga fakti nëse mund të strehohen nga rrezet e forta të diellit në një mikroklimë me hije për të mbijetuar.

Fluturat kanë më shumë të ngjarë të vuajnë nga ndryshimi i klimës dhe humbja e habitatit, thotë udhëheqësi i studimit Andrew Blaydon i Departamentit të Zoologjisë në Universitetin e Kembrixhit.

Shkencëtarët thonë se, me humbjen dhe copëtimin e habitateve, u zvogëluan zonat në të cilat fluturat ftoheshin, gjë që çoi në humbjen e popullatës në dy të tretat e specieve të fluturave në Britaninë e Madhe.

Për të matur sesi fluturat përballen me ndryshimet e temperaturës, shkencëtarët kapën 4,000 flutura të egra nga 29 specie në të gjithë Britaninë në vitin 2009 dhe në 2018.

Ata regjistruan sjelljen e tyre dhe matën temperaturën e tyre me një termometër miniatural.

Studimi zbuloi se fluturat më të mëdha me ngjyrë të zbehtë kanë termorregullim më të mirë, sepse ato mund të sprapsin më mirë rrezet e diellit me krahët e tyre në një kënd të caktuar ose ta drejtojnë ato drejt trupit për të ruajtur temperaturën e duhur.

Sipas rezultateve të tyre, këto specie kishin një popullsi të qëndrueshme ose në rritje në periudhën e vëzhguar.

Por speciet e fluturave më të vogla dhe ato me krahë më shumëngjyrësh kanë më pak gjasa, veçanërisht ato që mbështeten më shumë në hije. Këto specie kanë parë një rënie të madhe të numrit gjatë 40 viteve të fundit, sipas një studimi të botuar në Journal of Animal Ecology./bbgreenkosova

Burimi: Journal of Animal Ecology
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply