Ndodh edhe kjo: Pylli i Gërmisë “arkiv” zyreje

Degradimi i natyrës

Dikush ka hedhur materialin e një zyreje të tërë në pyll, duke e vazhduar praktikën që tashmë një vend i caktuar gradualisht të shndërrohet në deponi të qëndrueshme hedhurinash

Që në pyll të hidhen shishe të plastikës, kanaçe e ambalazh të llojllojshëm gjërash ushqimore, por edhe mbeturina materiali ndërtimor e të punëtorive të ndryshme, këtë e kemi parë dhe kemi shkruar. Por, që dikush të hedhë tërë materialin e një zyreje, dokumente e skedarë të lloj-llojshëm, mbase duke krijuar një lloj të pabesueshëm “arkivi” pyjor, kjo vërtet duket e pabesueshme. Mirëpo, ja që ndër ne vërtet ndodhin gjëra ndër më të pabesueshmet.

Një qytetar (emër i njohur për redaksinë tonë) na solli ca fotografi të bëra sot, në pyllin e Gërmisë, nga shtegu i cili fillon në vazhdim të rrugës “Bahtir Jahiri”, ku ishte krijuar kjo deponi. Në fakt, është nga vendi i njëjtë, ku tashmë ekzistonte një deponi gomash të vjetra, ndërsa materiali nga zyra ishte hedhur përmbi, duke krijuar një shtresë të re mbi hedhurinat e vjetra dhe duke e shndërruar këtë vend tash në deponi të qendrueshme hedhurinash.

“Nga një shikim sipërfaqësor nuk munda të konstatoj se nga çfarë zyreje ishte ai material”, thotë qytetari.

Ai tregon se disa dokumente mbanin memorandumin e administratës së mëhershme ndërkombëtare në Kosovë, disa të tjera atë të Ministrisë së mirëqenies sociale, disa ishin dokumente bankash dhe disa të jera lista për ndihma a pensione të luftëtarëve apo familjeve të tyre.

Se a është fjala për fshehje kushedi për çfarë arsyeje të dokumentacionit, apo thjesht për ta liruar zyrën nga dokumente të vjetra – kjo nuk i përket natyrës së portalit tonë për ta zbuluar. Por, duket qartas se kjo është një praktikë e re dhe e shëmtuar- që mjedisin të degradojnë edhe vetë zyrtarë të pushtetit./bbgreenkosova

Leave a Reply