Pylli i Gërmisë, thesari të cilin nuk po e ruajmë

Degradimi i natyrës

Po të mos ishte pylli i Gërmisë në afërsi, shumë qytetarë të Prishtinës, adhurues të natyrës, do të ndjeheshin si të ngujuar në qytetin i cili po rritet përditë dhe s’e di kush se ku do të ndalet, ndërsa hapësirat e gjelbra thuaja se kanë mbetur ato që kanë qenë, të para shumë dekadave.

Në kontrast me Prishtinën e ndotur, e degradimi urban i të cilës nuk ka të ndalur, Gërmia, me gjelbrimin e bujshëm në verë e me pejzazhet e bukura në çdo stinë, me shtigjet e shumëta mes pyllit, për pushim e rekreacion, shfaqet si një mrekulli.

Por, as Gërminë nuk po e ruajmë. Për të mos thënë se ajo në shumë anë po shëmtohet e po gjymtohet.

Pjesa e mbrojtur, lugina poshtë dhe shtigjet e shënuara janë të pastra dhe mirëmbahen, e po ashtu edhe pyjet e ahut dhe në përgjithësi pjesët e pyllit të cilat janë në thellësi dhe nuk kanë rrugë as shtigje në afërsi. Por, gjithkah kah rrugët kalojnë gjen qese e shishe të plastikës, kanaçe e ambalazh të llojllojshëm gjërash ushqimore, ndërsa disa vende janë shndërruar në deponi të vërteta hedhurinash, dëshmi e kulturës sonë të ulët dhe e përpjekjeve të pakëta të institucioneve për ta mbrojtur. Në shumë vende vërehen thëngjij tashmë të shuar në vatra të zjarreve, edhe nën kurora drunjësh.

Rruga nga Matiçani, e cila kalon pranë majes së Butocit dhe arrin deri në fshatin Kolovicë, duke e rrethuar kështu pak a shumë zonën e mbrojtur, meqë ka qarkullim shumë të rrallë automjetesh, është një shteg i mrekullueshëm për vrapuesit apo shëtitësit, ndërsa në dy anët e saj ka pejzazhe të mahnitshme dhe shtigje anësore të shumëta, të cilat shëtinë e bëjnë të këndshme e atraktive. Por, për fat të keq, të dy anët e saj po shërbejnë edhe si vende të përshtatshme për shumë njerëz të pandërgjegjshëm për t’u liruar nga hedhurinat e tyre të shtëpisë, të materalit ndërtimor, të punëtorive të tëra veprimtarishë të lloj-llojshme.

Po ashtu, në vazhdim të rrugës “Driton Azemi”, e cila shndërrohet në një shteg të bukur, i cili ndërlidhet me shumë të tjerë në thellësi, me gjasë shërben edhe si vend për hudhjen e mbeturinave të shtëpive të saj, sepse në plot vende, anash shtegut, gjen grumbuj të tërë mbeturinash.

Deponi hedhurinash është shndërruar edhe shtegu në vazhdim të rrugës “Bahtir Jahiri”, në të cilin, mu aty ku fillon pylli, dikush ka zbarkuar mobilie të vjetra e hedhurina të tjera, ndërsa pak më tutje një vullkanizer ka zbrazur sigurisht një kamion të tërë me goma të vjetra.

As drunjtë nuk kursehen, ata priten të veçuar thuaja se gjithkah ngapak, ndërsa edhe në sipërfaqe të tëra në pjesën e pyllit buzë lagjes Sofali, siç shihet edhe në foto tona, të bëra në stinë të ndryshme gjatë vitit.

Gërmia nuk çmohet vetëm si vend rekreacioni e pushimi dhe për vlerat estetike të saj. Ajo është edhe thesar i një biodiversiteti të pasur, të florës e të faunës. Por, sa do të mbijetojë ky diversitet në tkurrjen e vazhdueshme të saj dhe ekspozimin ndaj mbeturinave plastike dhe të tjera gjithëfarëlloji – është pyetje që duhet të shtrohet me shqetësim./DG/bbgreenkosova

Shikojeni galerinë tonë të fotografive, me pamje të bukura të Gërmisë, por edhe me shëmtinë të cilën po e shkaktojmë:

Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply