Mbjellja e pyjeve të mëdha për të shpëtuar klimën mund të bëjë dëm, nëse nuk kihet kujdes për një gjë
Mbjellja e sipërfaqeve të mëdha të pyjeve të reja, në vend që të ndihmojë mjedisin, mund të ketë efekt të kundërt, nëse nuk merret parasysh një detaj kritik, kanë treguar dy studime.
Sipas një studimi, të transmetuar nga BBC, stimujt financiarë për mbjelljen e pyjeve mund të na kthehen bumerang dhe të zvogëlojnë biodiversitetin me pak ndikim në uljen e dioksidit të karbonit atmosferik.
Studimi tjetër zbuloi se ndoshta po mbivlerësohet sasia e karbonit që pyjet e mbjella rishtas mund të thithin. Mesazhi kryesor i të dy punimeve është se mbjellja e pemëve nuk është një zgjidhje e thjeshtë për krizën klimatike.
Gjatë viteve të kaluara, ideja për mbjelljen e pemëve si një zgjidhje me kosto të ulët dhe me një ndikim të lartë në ndryshimet klimatike kishte marrë hov. Hulumtimet e mëparshme kanë sugjeruar që pemët kanë potencial të jashtëzakonshëm absorbimi dhe ruajtjeje të dioksidit të karbonit dhe shumë vende mbjelljen e pyjeve e kanë vënë ndër prioritetet në luftën kundër ndryshimit të klimës.
Vendeve u është bërë thirrje të rinpërtërijnë 350 milion hektarë tokë të çelur deri në vitin 2030. Deri më tani, rreth 40 vende kanë mbështetur idenë.
Por shkencëtarët po kërkojnë kujdes në lidhje me nxitimin për të mbjellë pyje dhe paralajmërojnë se 80 përqind e planeve përfshijnë mbjelljen e një specie ose një numri të vogël specie pemësh. Për disa individë privatë, subvencionet nënkuptonin mbjelljen e specieve të vlefshme ekonomikisht dhe jo ato që rriten në atë klimë, dhe për këtë arsye aftësia thithëse e pyjeve për karbon nuk u rrit, ndërsa humbja e biodiversitetit u përshpejtua.
Në studimin tjetër, shkencëtarët shqyrtuan përthithjen e karbonit nga atmosfera dhe ruajtjen e tij në tokë dhe zbuluan se mbjellja e pyjeve në tokat me të varfra me karbon ndihmoi në rritjen e thithjes së karbonit nga ajri, por kjo nuk ndodhi me mbjelljen e pyjeve në tokat e pasura me karbon.
Të dy punimet u botuan në revistën Nature Sustainability./bbgreenkosova
Burimi: BBC, Nature Sustainability
Foto: BB Green Kosova