Reportazh për Gjakovën, pjesa 3: Komuna e Gjakovës, qyteti dhe mjedisi natyror
Higjiena është gjysma e shëndetit, por pastërtia e qytetit është ligj
Çfarë thonë ekspertët dhe gjakovarët? (3)
Lidhur me këtë temë eksperti i mjedisit Agron Bektashi, tha për ‘BB Green Kosova’, se: “Tani më është e sigurt që sfida më e madhe në nivel global të shekullit 21 do të jetë sasia dhe cilësia e ujit. Ndotja e ujërave nëntokësor dhe sipërfaqësor, përfshirë edhe lumenjtë, do të jetë një ndër çështjet kruciale për mjedisin, shëndetin dhe ekonominë e Kosovës, në dekadat e ardhshme”.
Ndër të tjera z.Bektashi i sheh si shqetësuse edhe shkarkimet e ujërave te zeza nga pjesët urbane ai thotë se: ”Ndotja difuse e trupave ujore, kryesisht nga bujqësia, përfshirë lumenjtë, shkarkimet e palejuara nga industrita dhe bizneset dhe të tjerë ndotës, janë çështje që urgjent duhet zgjidhur “.
Banorët e këtyre lagjeve ankohen se përse komuna nuk merr masa për ndëshkime ndaj atyre që hedhin mbeturina në lumë apo kudo tjetër.
Flutura (42 vjeç) – “Nëse banorët se bëjnë vullnetarisht, komuna apo ministria e mjedisit duhet t’i dënojë, t’i gjobisë apo çfarëdo mase tjetër”, thotë Flutura, qytetare e Gjakovës.
Adnani (55 vjeç) – Adnani është shumë i indinjuar sesi qytetarët ia bëjnë këto dëme lumit më të mirë të Gjakovës, “Nuk mundemi të lejojmë më shumë ndotjen e lumit, as të ujit e as të natyrës, andaj komuna duhet të bëjë diçka sa nuk e kemi dëmtuar më shumë lumin”, thotë ai.
Në lidhje me mbeturinat, kryetari i Gjakovës Ardian Gjini thotë se, “me rregullimin e shtratit përgjatë rrugës Bujar Roka nuk do të ketë më vatër të mbeturinave, do të bëhet e zorshme me i hedhë aty. Ne e kemi pasur të njëjtin problem edhe me Krenen. Të gjitha mbeturiant janë hedhur në Krenë, por pas rregullimit të shetitores më nuk po i hedhin mbeturinat aty për shkak se është krijuar një zonë e pastër që ju pëlqen qytetarëve, dhe është eleminuar masa e 90 përiqind të hedhjës së mbeturinave në lumin Krena. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me lumin Erenik”, thotë Gjini.
Në lumin Erenik hidhen me qindra mbeturina përreth lumit por dhe në ujë gjithashtu, qoftë nga kalimtarët apo edhe nga vetë banorët e zones. Banorët janë të shqetësuar për gjendjen e lumit dhe kërkojnë që të merren masa për të parandaluar ndotjen e lumit, dhe shkatërrimin e mjedisit.
Drita (28 vjeç) – Drita, banorja e kësaj zone për ‘BB Green Kosova’ tha se: “Lumi është pastruar, por përsëri e ka ndotur atë popullata. Komuna e kishte pastruar lumin vitin e kaluar, por lumin po e ndotin kalimtarët dhe banorët, prandaj e vetmja zgjidhje është që të vendosin kamera”, ka thënë ajo.
Sipas ekspertit mjedisor, Agron Bektashi, zgjidhje më optimale është ndërtimi i një serie të kolektorëve në gjithë territorin e Kosovës, dhe fabrika për trajtimin e ujërave të ndotura, të cilat janë në ndertim e sipër në disa qendra të Kosovës. Ai thotë se, ndotja dhe degradimi i lumenjve të Kosovës rrezikon shëndetin e qytetarëve por direkt ndikon edhe në florën dhe faunën si dhe në biodiversitetin e përgjithshëm të pellgut lumor.
Ndërsa, sa i përket kësaj problematike mjedisore Burim Qarri thotë se, komuna duhet të mbajë takime të shpeshta me qytetarët, të bëhen organizime të lagjeve që njerëzit të vetëdijësohen duke u apeluar se është urgjencë çështja e mjedisit, ‘sepse nëse unë para 20 viteve jam larë në ato lumenj e tash jo, llogariteni çka mund të ndodhë pas 40 vitesh nëse nuk ndërmerren hapat konkret tani’.
Fidani ( 38 vjeç) – Fidani një djalë shumë urban, i sjellshëm dhe me stil të bukur veshjeje pyet, nëse kryetari i dallon ngjyrat. ‘A mos është kryetari daltonist, edhe nuk i dallon ngjyrat. Jo, më shumë ka beton sesa gjelbërim dhe me një oazë të gjelbërimit nuk mundet të thotë se është bërë mjaftueshëm. Edhe rruga te ‘Qarshia e vjetër’ është krejt betonuar me kubëza. Gjithashtu, nuk pajtohem me ndërtimin e banesave të reja sepse ka më shumë banesa se sa njerëz’.Fidani thotë se dëshira e tij është që të shtohet gjelbërimi në Gjakovë, sepse nuk ka mjaftueshëm, tani.
Një tjetër pamje mjedisore e Gjakovës tashmë mbushet edhe me ndërtime të reja që për një pjesë të qytetarëtve nuk janë të pëlqyeshme, por për të parin e Gjakovës ky konsiderohet zhvillim dhe nevojë, një trend që sipas tij ka nisur që në vitin 2000, sidomos në lagjen ‘Blloku i ri’ dhe ka vazhduar gjatë gjithë kohës.
Albani (32 vjeç) – Në krahasim me qytetet e tjera Gjakova përsëri është më mirë, se ato parqe që kanë qenë edhe pse nuk janë ngritur parqe të reja. E sa i përket lumenjëve që janë shtruar me beton ato është dashur që të bëhën ashtu, e sa i përket banesave mendoj se ka shumë edhe duhet të rregullohen më mirë. Por, prapë se prapë jam pro ndërtimit për banesa. Përderisa po ndërtohet kudo si në Prishtinë apo diku tjëtër, e ne të gjithë po ikim në Prishtinë se atje po ndërtohet, ka punësime e po na konvenon të gjithëve. Gjakoven e kanë lënë.
Kryetari Gjini thotë se, disa pjesë të cilat me planet rregulluese kanë nisur ndërtimet më herët, do të vazhdojnë, për shkak se planet rregulluese janë ligj, nuk vendosi unë në mengjes se, ku të lejoj të ndërtohet dhe ku nuk lejohet, se s’kam të drejtë. Nuk më lejon ligji, mirëpo aty ku planet rregulluese kanë egzistuar, aty do të vazhdojë po sipas atyre planeve edhe ata që janë më afër, me siguri që e kanë të lejuar sepse nuk lejojmë që njëri të ketë e tjetri të mos ketë të drejtë. Nuk shkon ashtu.
Nesër: Ndërtimet e vjetra dhe të reja në Gjakovë
Autore Behare Bajraktari