Mbrohet mjedisi dhe trajtohen shtretërit e lumenjëve të Rahovecit
Do të parandalohen vërshimet prej reshjeve që në komunën e Rahovecit janë intensive çdo verë.
E. Thaçi
Komuna e Rahovecit ka shumë përroje që shërbejnë për ujitje e gjithashtu që nuk lejojnë përmbytjen e të mbjellave. Duke qenë se komuna e Rahovecit është e orientuar më së shumti në bujqësi, vreshtari dhe kulturën e perimeve, po kaq shumë i nevojitet uji për ujitje-vaditje.
Është vlerësuar se afro 65% e popullatës e sigurojnë ekzistencën nga aktivitetet bujqësore, kështu edhe përrenjët, lumenjët si dhe drini përcaktojnë zhvillin e agrikulturës dhe ekonomisë së jug-perëndimit të
Kosovës. Përrenjët janë natyral, por ata gjithsesi kanë nevojë për mirëmbajtje dhe pastrim për shkak se shumë banorë rreth tyre derdhin ujërat e zeza ku i ndotin ata, dhe në fakt nuk mirëmbahen fare. Këtyre ditëve kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi nënshkroi një kontratë për realizimin e një projekti të ri për këta përrenj, ku do të bëhet trajtimi i shtretërve të përrenjve.
Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në projektin e ri me vlerë 815,988.10 euro, ka ndarë buxhet për trajtimin e shtretërve të përrenjve në komunë në vendet si Opterushë, Pataqan i Ulët, Malësi e Vogël dhe Polluzhë. Në projekt janë 4 përrenj prej të cilëve do t’u rregullohet shtrati si dhe do të rregullohet problemi i ujërave të zeza, dhe elemente të tjera përcjellëse për mirëmbajtjen e tyre.
Ky projekt ka qëllim që përrenjët të jenë funksionalë, por edhe të përmirsojnë pamjen e tyre.
“Qëllimi këtij projekti është evitimi dhe parandalimi i vërshimeve dhe reshjeve që në komunën tonë janë intensive,të mbrohen përrenjët nga ujërat e zeza, dhe qëllimi kryesor është mbrojtja e mjedisit”, tha për
BB Green Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Reshjet maksimale në Rahovec janë 1.047,2 mm, ndërsa minimale janë 609,9 mm, sipas të dhënave mesatarja e reshjeve në komunën e Rahovecit është 707.7mm.
Duke qenë se ka shumë vërshime, ky projekt ka rëndësi të madhe për mjedisin për shkak se shtretërit ku kalojnë përrenjët janë në vende të gjelbëruara, në vreshta dhe në të mbjella, prandaj është e rëndësishme mbrojtja e tyre dhe mirëmbajtja.
Komuna e Rahovecit disponon rreth 50 % të sipërfaqeve të vreshtave të Kosovës si dhe kapaciteteve përpunuese. Përveç këtij projekti, kryetari Latifi së bashku me zyrtarë të tjerë komunal po vazhdon projekte të cilat
kanë të bëjnë me mbjelljen e pemëve nëpër komunë, qoftë në hapësira urbane apo ato rurale.
Pemët do të mbillen në hapësira publike, afër rrugëve, në hapësira shkollore, dhe në parqe ku përmes mbjelljës dhe kultivimit të këtyre pemëve do të arrihet një mjedis më i mirë dhe më i shëndetshëm.
“Ne vazhdojmë ta trajtojmë shtratin e lumit në Krushë të Madhe, dhe do të bëhet edhe një marrëveshje për trajtimin e lumit Renik që kalon nëpër Fortesë, në këtë lumë do të bëhet ristrukturimi i shtratit dhe zgjatja e tij, gjithashtu edhe mirëmbajtja ndaj ndotjes, tha Kryetari Smajl Latifi.
Të gjitha këto projekte janë në plan që të vazhdohet me punimin e tyre gjatë këtij viti. I pari i Rahovecit ka treguar për BB Green Kosova edhe për projektet që shpreson t’i vazhdojë vitin tjetër në të mirë të mjedisit, ku tha se do të trajtohet shtrati i lumit në Celinë.
Ndër të tjera Latifi ka thënë se do të trajtohet edhe shtrati ekzistues i lumit në Rahovec, do të mirëmbahet shtrati i lumit në fshatin Ratkoc si dhe do të
trajtohen edhe ujërat atmosferikë në fshatin Çifllak. Të gjitha këto projekte janë një përpjekte serioze për ta parandaluar ndotjen e mjedisit.
Këto projekte do të ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit të komunës dhe ekosistemit të këtyre përrenjëve. Duke i mbrojtur këta përrenj dhe lumenj do të parandalohet edhe përmbytja e tokave nga reshjet dhe vërshimet, të cilat dihet se shpesh janë shumë të dëmshmë për të mbjellat. Në komunën e Rahovecit rrjeti hidrografik është relativisht i mirë. Kjo paraqet pasurinë natyrore të komunës dhe një ndër kushtet për ekzistencën të botës bimore dhe njerëzore. Rrjeti hidrografisë së komunës së Rahovecit e përbëjnë disa qindra burime, puset, burime rrjedhëse dhe të qëndrueshme dhe prockat.
Puset janë objektet hidrografike të cilat popullata rurale dhe urbane kanë ndërtuar për nevojat e veta. Burimet janë format të rëndësishme hidrografike. Në territorin e komunës së Rahovecit ka disa qindra
burime periodike dhe të përhershme.
Rëndësi të madhe ekonomike kanë burimet të cilat shtrihen në shpatiet e luginave dhe shtratit të lumit, pastaj burimet të cilat paraqiten në kodrat terciale të neogjenit. Kërkime hidrografike tregojnë se më së shumti kanë burimet karstike periodike dhe të përhershme. Burimet e këtilla gjenden në jug-perëndim, veriut dhe veri-perëndim.
Lumi Drini i Bardhë edhe pse nuk buron në komunën e Rahovecit, të gjitha përrockat dhe lumenjtë derdhen ne të. Nëpër komunën e Rahovecit, ky lumë rrjedh me një gjatësi prej 30 km dhe pjesën më të madhe është edhe si kufiri administrative i komunës së: Prizrenit, Gjakovës, Malishevës dhe Klinës. Lumenjtë-përrockat te cilat derdhen në Drinin e Bardhë janë : Lumi Drinas, Rimnik, Palluzhë, Hoçë etj.
Për shkak të konfiguracionit të terrenit lugina e Drinit në komunën e Rahovecit sillet 2 deri 5 km. Ndërsa gjërsia mesatare e shtratit të lumit prej 50 deri 100 metra, thellësia e shtratit të lumit është 1 deri 5 m. Hapësira e parë shtrihet prej Gradishit (Gexhes) gjerë të Kramovikut në një gjatësi prej 15 km. Hapësira e dytë shtrihet prej Gradishit (Gexhes) gjerë në jug-lindje ndërmjet fshatrave Xërxë, Fortesë, Celinë dhe Krusha e Madhe dhe ndryshe quhet Anadrinia e Ulët.
Lumi Drini i Bardhë në Anadrininë e ka prirë masivin gëlqeror Gradishin ashtu që ka formuar Grykën (Kanjonin) eupegjenik atraktiv në gjatësi prej 450 m. Në kanjonin është ndërtuar Ura e Fshenjtë e cila është e gjatë 70 m. dhe thellësia prej harkut deri te shtrati i ujit është 30 m.
Lumi i Hoçës buron në fshatin Hoçë të Madhe në lartësi mbidetare 420 m dhe rrjedh nëpër fshatra Brestovc, por para fshatit Brestoc bashkohet me prockën e Babindollit dhe disa burimet të tjera dhe derdhet në Drinin e Bardhë.
Lumi Bellaja është dega e majatë e Drinit të Bardhë dhe është e gjatë 3 km
prej fshatit Fortesë deri te fshati Rogovë.
Lumi Duhllo buron në Rahovec dhe është i formuar nga tri burime (Duhllo, Vrella dhe Sopoti) nja 4 km bashkohet me lumin e Rimnikut në harta topografike ky lumë është i shënuar me emrin Gjegoja që do të
thotë për popullin e kësaj ane është i pa njohur.
Lumi Rimnik buron në rrënzë malet Gërgavicë dhe në rrjedhjen e saj i merr disa burim të tjera. Ky lum ka rëndësi të madhe ekonomi për këtë anë. Lumi Rimnik gjatë rrjedhjes së vetë bashkohet me Duhllo dhe në fshatin Fortesë bashkohet me lumin e Sopniqit dhe formojnë lumin Bellaja.
Lumi Sopniq burimin e ka në rrënzë të malit të Drenocit dhe kalon nëpër fshatin Nashpall, Sopniq. Ky lumë gjatë stinës së verës shtrati i tij i thatë dhe mund të quhet si lumi i Thatë. Duhet për të cekur janë edhe disa lumenjë-prockat si që janë : Drinasit, Kramovikut, Palluzhës e tjera.
Mirëmbajtja e përrenjëve dhe e lumenjëve do të ndihmojë shumë për mjedisin e kësaj komune dhe për të mirën e banorëve gjithashtu.
Përveç kulturës bujqësore dhe vreshtave në komunën e Rahovecit shtrihen shumë përrenjë, lumenjë, liqejë dhe përrocka. /bbgreenkosova./
Foto: BB Green