“Kalorësi” nuk ndjehet mirë në Kosovë
Fjala është për një shpezë shtegtare, për të cilën pak kush e di që ekziston në Kosovë. Por, edhe mund të mos e dijë kurrë, sepse ajo është një ndër speciet e rrezikuara në këtë vend
Në gjuhën angleze e quajnë Black-winged stilt, që mund të përkthehet si Këmbalka krahëzezë. Në Librin e kuq të faunës së Republikës së Kosovës e kanë quajtur Kalorësi. Fjala është për shpezën Himantopus himantopus (Linnaeus, 1758), për të cilën pak kush e di që ekziston në vendin tonë. Por, edhe mund të mos e dijë kurrë, sepse është ky një ndër speciet e rrezikuara në këtë vend.
Kjo shpesë këmbëgjatë, me madhësi 30-40 cm e me peshë mesatare pak më shumë se 100 gramë, në zonat veriore është shtegtare, ndërsa në ato me klimë të butë sedentare ose lokalisht shtegtare. Habitat i saj janë vendet ujore, liqenet e moçalet, por edhe tokat e përmbytura. Popullata të saj shtrihen nga Franca dhe jugi i Iberisë, dhe në lindje drejt Azisë qendrore dhe Kinës veriqendrore, nënkontinentin Indian, Indokinë e Tajvan. Dimëron në jug të Afrikës, në Lindje të Mesme dhe në jug e juglindje të Azisë, drejt Borneos e Filipineve. Në Kosovë është hasur në fshatin në Obiliq, në fshatin Henc të Fushë Kosovës dhe atë Nosalje të Gjilanit, por popullata e saj është megjithatë e panjohur për ekspertët.
E keqja është se, deri sa për këtë lloj në Evropë vlerësohet se ekziston “shqetësim i vogël” për ekzistencën e tij, në Kosovë, ngjashëm me shumë specie të tjera, ai është i rrezikuar. Shkaktar janë kryesisht ndërtimet për banim dhe ato komerciale, që, si gjithkund në Kosovë, bëhen pa plan e pa kontroll, pastaj ndërhyrjet dhe shqetësimet njerëzore si dhe modifikimet e sistemeve natyrore (digat dhe eksploatimi i ujit për bujqësi).
Lloji është nën mbrojtje strikte të ligjit, por kjo është masë e kotë në qoftë se, siç propozojnë ekspertët, nuk mbrohet zona e saj – habitatet dhe resurset. Po ashtu, edhe gjuetarët paraqiten si kërcënim, prandaj rekomandohet reduktimi i presionit të gjuetisë mbi këtë lloj./bbgreenkosova
Burimi: Libri i kuq i faunës i Republikës së Kosovës
Foto: Wikipedia; AMM