Mushkëritë e botës: Amazonia e kërcënuar nga zjarret edhe sivjet
Aktivistët e mjedisit e shohin fajtorin tek presidenti i këtij vendi, Jair Bolsonaro, duke theksuar se ai mbështeti shpyllëzimet e paligjshme dhe gërmimet në miniera
Një rekord i ri i zi është shënuar me fundin e muajit që shkoi në “mushkëritë e botës”. Mbi një mijë zjarre shpërthyen në një ditë të vetme në pyllin e Amazonës, më 30 korrik, që është numri më i madh i regjistruar në 24 orë në këtë muaj që nga viti 2005.
Gjatë gjithë korrikut, Instituti Kombëtar i Brazilit për Kërkime në Hapësirë (INPE) regjistroi një total prej 6.803 zjarre, një rritje kjo prej 28 përqind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Rritja e numrit të zjarreve, e cila është shqetësuese për ekspertët, në të vërtetë është vërejtur edhe para fillimit të gushtit, kur zakonisht fillon sezoni i zjarreve në Brazil, i cili përfshinë 60 përqind të këtij pylli tropikal.
Aktivistët e mjedisit e shohin fajtorin tek presidenti i këtij vendi, Jair Bolsonaro, duke theksuar se ai mbështeti shpyllëzimet e paligjshme dhe gërmimet në miniera. Bolsonaro ka thënë vazhdimisht se kjo është mënyra e vetme që Brazili të përparojë ekonomikisht. Megjithatë, nën një presion të madh nga publiku vendas dhe ai ndërkombëtar, më 16 korrik, Bolsonaro miratoi ndalimin e djegies së pyllit të Amazonës për 4 muaj.
Ekspertët besojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme, si dhe ato nuk janë zbatuar në mënyrë të duhur, duke marrë parasysh që një numër i madh i zjarreve të reja janë regjistruar edhe pas hyrjes në fuqi të ndalimit.
Megjithëse numri ende nuk i është afruar atij të gushtit të vitit të kaluar, kur INPE regjistroi 30.900 zjarre, që ishte gjithashtu një rekord për atë muaj në 12 vitet e fundit, ambientalistët kanë frikë se situata mund të përkeqësohet. Ekspertët theksojnë se situata nga korriku tregon se situata është kritike, si dhe që ata tashmë e dinë që gushti do të jetë një muaj i vështirë, dhe shtatori me siguri do të jetë edhe më i keq.
Ndërsa zjarret shpesh ndizen nga njerëzit për të siguruar tokë për qëllime bujqësore, kushtet e motit të sjella nga ndryshimi i klimës, siç janë temperaturat e larta dhe thatësirat, mundësojnë që zjarret të rriten dhe të përhapen përtej çdo kontrolli, dhe kushtet në Amazonën jugore në këtë kohë janë jashtëzakonisht të përshtatshme për zhvillime të tilla, njoftoi NASA në korrik./bbgreenkosova
Burimi: Time, Independent
Foto: https: theprint.in