Megaprojekti që mund ta ndryshojë botën: Ndërtohet makineria më komplekse në historinë e civilizimit

Më të rejat

Fjala është për ITER-in, projektin në të cilin bashkëpunojnë shumë vende, e i tëri kushton madje 20 miliardë euro

Në jug të Francës të martën ka filluar montimi i makinës më komplekse në historinë e civilizimit tonë – ITER-it, i cili do të zgjasë pesë vjet.

Është fjala për një projekt shkencor prej 20 miliardë eurosh, me të cilin dëshirohet të përsëriten proceset që ndodhin brenda Diellit, d.m.th., për të mundësuar krijimin e energjisë përmes fuzionit bërthamor, e i cili, besojnë shkencëtarët, në të ardhmen mund të jetë komercialisht i shfrytëzueshëm. Do të ishte ky një një burim i pakufizuar i energjisë së pastër, por të cilën civilizimi ynë nuk ka gjetur një mënyrë për ta përdorur për 60 vitet e fundit për shkak të sfidave të mëdha teknike që kërkon një përpjekje e tillë.

Gjatë reaksionit të fuzionit të bërthamave të elementeve të lehta atomikë, lirohet një sasi e madhe energjie. Për shembull, fuzioni i vetëm pesë gramëve të materialit prodhon po aq energji sa djegia e 60 tonelatave qymyr me cilësi të lartë.

“Fuzioni është një burim i sigurt energjie në një shkallë të pakufizuar,” ka thënë kohë më parë tha zëdhënësi i ITER-it, Robert Arnoux. Për dallim nga fisioni, pra çarja e bërthamave atomike, e cila është bazë e centraleve bërthamore, por edhe e bombave atomike, në fuzion nuk ekziston rreziku i një reagimi të pakontrolluar. Me fjalë të tjera, një skenar si në Çernobil nuk është i mundur. Me energjinë e fuzionit, nuk ka mbeturina radioaktive që qëndrojnë gjatë dhe nuk ka emetime të dioksidit të karbonit”, ka thën Arnoux.

Ndërtesa kryesore, në të cilën do të vendoset ‘tokmaku’, makineria më komplekse e ndërtuar ndonjëherë/AFP

Një ëndërr 60-vjeçare

Reagimi i fuzionit është në dukje është i thjeshtë: për shembull, izotopet e hidrogjenit deuterium dhe tritium bashkohen dhe me këtë rast krijohet heliumi dhe neutroni. Që kjo të ndodhë, karburanti duhet të jetë në gjendje plazme, d.m.th. duhet të nxehet në më shumë se 150 milionë gradë Celsius. Për më tepër, në mënyrë që bërthamat të bashkohen, plazma me densitet të mjaftueshëm duhet të mbahet mjaft gjatë pa kontakte me muret e enës në të cilën ndodhet. Kjo arrihet me fusha magnetike të forta në të ashtuquajturat shishe magnetike ose tokamakë, të shpikur nga fizikanët rusë Andrei Sakharov dhe Igor Tamm, bazuar në idenë e Oleg Lavrentievit. Andrei Sakharov, krijuesi i bombës termonukleare ruse, por edhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1975, parashikoi në fund të viteve 1950 se reaktor i fuzionit i bazuar në modelin e tij do të prodhonte energji për vetëm 10 ose 15 vjet. Fizikantë të tjerë parashikuan në mënyrë të ngjashme, por kjo nuk u realizua.

Për të kompletuar reaktorin gjigant, të rëndë 23,000 tonelata në qendër të këtij projekti, do të instalohen miliona komponente të ndryshme, duke përfshirë më shumë se 3,000 tonelata magnetësh superpërçues dhe më shumë se 200 kilometra kabllo të superpërçueshëm, e të gjitha këto do të vendosen në temperatura skajshëm të ulëta prej -269 gradë Celsius. Shkurt, kjo është sipërmarrja më e ndërlikuar “ndërtimore” e sotme.

‘Mrekulli për planetin’

Fillimi i fazës së montimit u shënua edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri japonez Shinzo Abe, vendi i të cilit po merr pjesë në projekt së bashku me Bashkimin Evropian, SH.B.A.-të, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Indinë, Korenë e Jugut dhe Rusinë.

“Unë besoj se risitë e tilla do të jenë vendimtare në luftën kundër ndryshimit të klimës dhe ndërtimin e një shoqërie, në të cilën nuk ka emetime të tepërta të dioksidit të karbonit”, tha Abe.

“Nëse mundësojmë përdorimin e energjisë së pastër, do të jetë kjo një mrekulli për planetin tonë. Por, duhet të jeni të vetëdijshëm që montimi i kësaj makinerie do të jetë një proces jashtëzakonisht kompleks, gjatë të cilit duhet të jemi precizë sikurse një orë zvicerane”, tha drejtori i projektit ITER Bernard Bigot.

Kur ITER-i të përfundojë në vitin 2025, eksperimentet e para do të fillojnë, dhe deri në vitin 2035 duhet të përfundojë ndërtimi i reaktorit gjigand DEMO, me fuqi tre gigavatë, i cili do të prodhojë energji elektrike. Qëllimi përfundimtar është të fillojë prodhimin e energjisë komerciale deri në vitin 2050 përmes fuzionit./bbgreenkosova

Burimi: The Guardian, jutarnji.hr
Foto: NASA, AFP

Leave a Reply