Adonida, një bimë e rrallë, e kërcënuar me zhdukje

Bimët, Më të rejat

Foto: BB Green Kosova

Vetëm në tri-katër vende në pyllin e Gërmisë dhe në një rrethinë bukur të madhe të tij, rritet një bimë e rrallë dhe njëkohësisht shëruese – adonida. Në dy vende, ku ajo gjendet më me shumicë, tashmë i kërcënohet zhdukja.

Njëri është një livadh në Sofali, jo shumë larg pishinës së Gërmisë. Por, po vendosi pronari ta lavrojë atë parcellë, lulet e bukura, të mëdha, të verdha të adonidës më nuk do të lulëzojnë në pranverën e hershme. Tjetri, në djerrinën afër rrugës për te liqeni i Badovcit, e cila nuk është çudi të shndërrohet në kantier ndërtimi, sepse një i tillë është ngritur në anën e kundrualltë të rrugës. Në vendet tjera ka vetëm nga disa lule të tilla dhe ajo është e rrallë edhe gjetiu në Kosovë.

Ekspertët përkujtojnë se kjo lule ka qenë e përhapur shumë, por për shkak të eksploatimit për kohë të gjatë dhe zhvillimit të bujqëisë, rajonet në të cilat rritet ajo po zvogëlohen në mënyrë konstante. Faktorët kryesorë të rrezikimit të saj janë lavrimi i tokave, erozioni, ndotja me kimikate bujqësore dhe prerja e pyjeve. Por, ndikim kanë edhe faktorët që kanë të bëjnë me biologjinë dhe ekologjinë e vetë llojit, siç është mbirja e rrallë e farave të saj, rritja e pakët dhe rigjenerimi i ngadalshëm pas dëmtimit apo mbledhjes. Mbledhja çdo vit e zvogëlon numrin e luleve dhe ekzemplarëve të cilët arrijnë të sjellin fruta, sepse ajo e para kohës së pjekjeve të farave e zvogëlon dukshëm mundësinë e rigjenerimit të populacionit me anë të farave.

Adonida (Adonis vernalis) është bimë barishtore shumëvjeçare, e cila lulëzon nga marsi deri në maj. Përdoret për prodhimin e ilaçeve kundër sëmundjeve të zemrës. Mirëpo, ajo është bimë helmuese. Ka shije të pakëndshme, djegëse, të hidhur, ndërsa si lëndë për prodhimin e ilaçeve përdoret pjesa mbitokësore e bimës. Për shkak se është helmuese, kjo bimë mbijeton edhe në kullosa, meqë bagëtia nuk e hanë.

Burimi: BB Green Kosova

Leave a Reply