Entuziastët e natyrës: Krijohet regjistri elektronik i specieve shqiptare

Njeriu dhe natyra

Një grup qytetarësh të pasionuar pas natyrës, kanë hapur një faqe në Facebook, në të cilën postojnë fotografi të llojeve të florës e të faunës së trojeve shqiptare dhe debatojnë për identifikimin e tyre

Rrallë mund të gjesh në një vend, libër a çfarëdo forme tjetër dokumentimi të gjitha llojet e florës e faunës së trojeve shqiptare. Po ashtu, edhe atyre llojeve të cilat prezantohen, shpesh u mungojnë emrat në gjuhën shqipe, e ndonjëherë ato kanë ndonjë emërtim lokal, i cili megjithatë nuk mund të pranohet në hapësirën mbarëshqiptare.

Por, atë që nuk po e bëjnë institucionet e profesionistët, po e bëjnë entuziastët. Një grup qytetarësh të pasionuar pas natyrës, tash e sa vjet kanë hapur një faqe në Facebook të titulluar “Regjistri elektronik i specieve shqiptare”, duke shfrytëzuar kështu mundësinë që ofron teknologjia për të shkarkuar “memorien tonë virtuale në lidhje me biodokumentarzimin dhe riinventarizimin e specieve, në formë ekspeditash, përjetimesh dhe argëtimesh”.

“Kjo është një ftesë për të gjithë ata që kanë informacion të vlefshëm shkencërisht dhe të biodukumentuar në kohë dhe vendndodhje reale”, thuhet në përshkrimin e faqes.

Mundësia për të krijuar marrëdhënie interaktive po shfrytëzohet për identifikimin e llojeve të panjohura dhe familjeve e gjinive të cilave u përkasin, si dhe për t’ua gjetur atyre emërtimet në gjuhën shqipe.

Duke përshëndetur këtë nismë dhe për të ndihmuar sadopak në promovimin e saj, po botojmë disa nga fotografitë e fundit të postuara në këtë faqe, të cilat, siç mund të shihni, edhe janë mjaft cilësore. Emërtimet e llojeve dhe të autorëve janë kryesisht ashtu si i kanë prezantuar ata vetë. D. GASHI/bbgreenkosova

Burimi: Regjistri elektronik i specieve shqiptare
Foto: Postimet në faqe

Leave a Reply