Zgjidhje suedeze: Si përfitohet energjia nga mbeturinat (3)
Mbeturinat nga ushqimi që hamë, bëhen biogaz dhe mbetjet prej andej kthehen në pleh të cilat kthehen sërish në ushqim
Nga konsumimi ynë bëhen mbeturinat. Mbeturinat nuk bën të hidhen, vetëm si të pa vlera. Ato përmbajnë material shumë të dobishëm, i cili material mund të riciklohet, të ripërdoret ose edhe të siguroj ngrohje, energji elektrike apo biogaz. Në Suedi, më shumë se 99 % e mbeturinave ripërdoren disa herë dhe vazhdimisht dhe më pak se vetëm një për qind e tyre përfundojnë në depot e mbeturinave. Nëpërmjet teknologjisë së avancuar për riciklimin, Suedia kursen sasi të mëdha qymyri dhe nafte si dhe kanë një mjedis më të mirë.
Pothuajse 100 % e energjisë që vjen nga mbeturinat shtëpiake përdoret, pjesërisht përmes djegies, por edhe përmes prodhimit të biogazit. Mbeturinat e ushqimit si dhe mbeturinat e kopshtit janë ushqimi më i preferuar për bakteriet që prodhojnë biogaz, metan.
Por kjo kundërmon …
Merrni me vete rroba qëndrueshme, na porositi Sara Simon para vizitës. Ajo punon në objektin e prodhimit të biogazit. Ajo na pret jashtë fabrikes dhe na jap jelekët e verdhë dhe helmetat për siguri.
Suedia si duket është gjithashtu shumë e mirë në siguri…
Hapim një derë dhe futemi në një sallë të madhe, e cila ngjanë me sallën ku ishim në objektin e djegies. Sirenat e kamioneve dëgjohen derisa ata zmbrapsen, ngrisin lartë rimorkiot dhe zbrazen mbeturinat në një bunker të madh. Edhe këtu teknologjia është mbresëlënëse dhe në përmasa të mëdha.
Kamionët vijnë të mbushur me mbeturina ushqimore, por edhe me pleh kuajsh nga fermat si dhe me mbeturina të kopshtit. Këtu është një vidhë e madhe që zbret poshtë në bunker. Vidha merr thupra ose degë më të mëdha dhe qese letre dhe i bluan në madhësinë e duhur. Më pas kapen me mashë, përzihen dhe bartën në dhomat e kalbjës, thotë Sara.
Ngjitemi shkallëve të cilat kalojnë përgjatë rripit transportues. Ky rrip transporton lartë materialin e bluar dhe e dërgon brenda. Biogazi është një gaz i rinovueshëm që prodhohet nga materiale zbërthyese organike siq janë mbeturinat e ushqimit si dhe materiale të tjera të cilat mund të zbërthehen nga bakteriet. Procesi quhet kalbje dhe mbeturinat që bakteret i transformojnë mund të jenë mbeturina ushqimore, pleh organik, llum i ujërave të zeza, mbetje nga thertoret, mbetje të prodhimeve ushqimore si dhe mbeturina tjera të cilat mund të zbërthehen.
“Këtu përdorim vetëm pleh kuajsh, mbeturina ushqimi dhe mbeturina kopshtesh”, thotë Sara.
Kemi ardhë në pjesën më të lartë të objektit dhe nga jashtë vëzhgojmë brenda në një nga tre ndërtesat e rrumbullakëta përmes dritarëve të vogla. Brenda, nën dritën e zbehtë, sillen rrotull krahë të gjatë të cilët përzijnë një lloj brumi me një gjatësi rreth një metër. Brumi është ngjyrë kafe në të hirtë.
“Janë dhomat e kalbjës, secila prej tyre ka një vëllim rreth 2100 m3 dhe përziersit bartin lartë materialin që kalbet në mënyrë që të dalë biogazi i prodhuar nga bakteriet”, na tregon Sara.
A është ky proces i komplikuar?
Po, thotë Sara, kemi të bëjmë me mikrobiologji, kështu që ka shumë parametra të ndryshëm që duhet të përcjellën me kujdes. Ndër ta janë lagështia e materialit që hyn brenda, pH dhe aciditeti i materialit, nëse materiali përmban metale të rënda të cilat e pengojnë procesin e kështu me radhë.
Me rëndësi është edhe temperatura,” Këtu kemi një ngrohje qarkore që mban temperaturën në dhomat e kalbjës”, thotë Sara e cila ka një diplomë universitare disavjeçare në mikrobiologji.
Derisa ne ndjekim tubacionet, Sara vazhdon të tregojë se si pastrohet biogazi nga dioksidi i karbonit dhe lëndë të tjera që në fund të jetë gaz metani i pastër. Ky gaz vë në lëvizje autobusë, kamionë dhe shumë taksi në zonën e Stokholmit. Biogazi apo metani vë në lëvizje edhe veturat private.
A keni ju veturë me biogaz?
Po, kam dy vetura. Është më lirë. Unë kursej rreth 2000 euro në vit në krahasim me veturat që lëvizin me naftë, thotë Sara.
Nga dhomat e kalbjës del një masë ngjyrë kafe, e thatë dhe pa erë. Është kompost, thotë Sara derisa e mbushë një grusht. Ky kompost mund të kthehet në fusha si pleh. Në fakt është fantastike, se mbeturinat nga ushqimi që hamë, bëhen biogaz dhe mbetjet prej andej kthehen në pleh të cilat kthehen sërish në ushqim, çdo gjë është një cikël, thotë Sara.
Mendimet sillen vërdallë kur kupton se si përdoret teknologjia në përmirësimin e mjedisit. Ka akoma edhe shumë gjëra të tjera që mund të përmirësohen në këtë drejtim, nëse duam, kuptohet.
Teksti dhe fotografitë: Lennart Berggren / Axiom Film
Raportimet nga Suedia janë mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Kosovë në kuadër të fushatës "Le të flaim për ajrin" si dhe në zgjerimin e gazetarisë së gjelbër dhe rrjetizimit botëror.